Monika Kryemadhi në njësinë Nr.7 në Tiranë: LSI një familje ku të gjithë i japim dorën njëri-tjetrit
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi vijon me takimet elektorale, ndërsa u ndal sot në njësinë Nr.7 në Tiranë.
Në fjalën e saj para të pranishmëve, Kryemadhi tha se LSI është si një familje “ku të gjithë i japim dorën njëri-tjetrit”.
Ajo akuzoi partitë e tjera se duan t’i kopjojnë sloganin ‘Shqipëria Shtëpia Juaj, Shqipëria Shtëpia e Shqiptarëve.’
“Mirëmbrëma të gjithëve, faleminderit! Në fakt LSI është themeluar në Njësinë 7, këtu në këtë zonë, në fushën e aviacionit, dhe kur diskutuam me Klajdën, që thamë do të bëjmë një takim, menduam se nuk do të ishim më shumë se 100-150 veta, për shkak edhe të pandemisë, por edhe për t’i pasur takimet pak më të kufizuara. Por mesa duket energjia, pozitiviteti, angazhimi, jo vetëm i Klajdës, por i të gjithë strukturave të LSI-së, duke filluar nga Luçi, Ariana, Sarën që e kemi gocën tonë të Njësisë Numër 7, por që vëllai i saj që ka qenë themelues i Lëvizjes Rinore për Integrim. Sepse këtë të mirë ka LSI, është si një familje. Në fakt gjithmonë na e kanë quajtur kur themi familje si fjalë të keqe. Por njeriu për familjen e tij sakrifikon çdo gjë. Njeriu për familjen e tij jep jetën, njeriu për familjen jeton, punon, ndryshon. Prandaj ne e kemi konsideruar gjithmonë LSI-në një familje. Një familje ku të gjithë i japim dorën njëri tjetrit, e ndihmojmë njëri tjetrin, krijojmë hapësira për njëri tjetrin dhe ndryshojmë realitetet e hidhura, që ndoshta dashje pa dashje ka krijuar politika në këto 30 vite tranzicion. Dhe slogani më i mirë është ‘Shqipëria Shtëpia Juaj, Shqipëria Shtëpia e Shqiptarëve.’ Sado mundohen dhe duan ta kopjojnë, por në fakt fjala shtëpi më shumë e lidhur se me LSI-në nuk është me asnjë parti tjetër. Sepse ne gjithmonë qëndrojmë të lidhur fort dhe e ndihmojmë njëri tjetrin. Dhe aq më shumë kur shikojmë sesi brezat në LSI në këto 17 vite rriten, fillojnë që fëmijë, bëhen prindër e kështu me radhë. E pra kjo është kënaqësia që unë ndjej sot në Njësinë 7. Ashtu siç kam votuar për herë të parë në nëntor të 2004 për votimin ‘Një anëtar një votë’ për kryetar partie, sot ndjej të njëjtin emocion pas kaq vitesh. Jo sepse jeni ju këtu kaq shumë, por ndjej emocion tek historia, tek emocionet që ju i sillni këtij takimi, por mbi të gjitha ndjej emocion tek brezat e rinj, tek vajzat që para 17 vitesh ndoshta nuk kishin lindur dhe sot janë ata që e kanë mbushur këtë shesh këtu. Emocionet nganjëherë janë të bukura, por nganjëherë janë edhe që nuk të lënë të thuash atë që do të thuash”, tha Kryemadhi.
Fraksion.com