AktualitetOp-EdTë fundit

Linda Rama: Miti që lufta është për burra ra! Beteja në vitin kovidian provoi që gratë janë luftëtare të fuqishme dhe fituese

Bashkëshortja e kryeministrit Rama, Linda Rama mori pjesë në Samitin “Lidershipi i gruas në botën tejet konkurruese të epokës post-Covid” organizuar online nga ICYF, Organizata Ndërkombëtare e Bashkëpunimit Islamik, në kuadër të Forumit për Rininë 2021 mbajtur nga Këshilli Ekonomik dhe Social i Kombeve të Bashkuara (ECOSOC).

Më poshtë fjala e plotë e Linda Ramës:

Megjithë keqardhjen që duhet ta bëjmë këtë komunikim të bukur në distancë, ky mbetet sidoqoftë një kuvendim i bukur për të cilin organizatorët meritojnë admirim e falenderim!

Lidership, grua, botë, konkurrencë vijnë në fakt me një emërues të përbashkët. Atë të betejave shekullore të së shkuarës për të mbërritur shumëçka që për stërgjyshet dhe gjyshet tona ishte e paimagjinueshme; por edhe për sfidat e së ardhmes që janë beteja të përditshme të së sotmes.

Ndërsa Covid, do të mbetet gjatë në kujtesën e në reflektimet tona si momenti më spikatës i fuqisë së gruas në botën e punës.

Janë në këtë vit kovidian një pafundësi grash heroina nëpër spitale dhe qendra shëndetësore, që u qëndrojnë te koka e vaksinojnë një pafundësi njerëzish çdo ditë, që punojnë për fabrikimin e vaksinave dhe medikamenteve të tjera, që studiojnë, analizojnë e komentojnë në frontin e kësaj lufte duke na ndriçuar rrugën e të ardhmes. Një shembull i shkëlqyer për këtë është padyshim themeluesja e BioNTech, znj. Ozlem Tureci, së cilës gjithë bota sot i detyrohet shpëtimin e miliona jetëve.

Po janë edhe një pafundësi mësuesesh që me përkushtim të admirueshëm në kushte të reja, tejet sfiduese, mbajnë të pandërprerë rrjedhën e marrjes së dijes për fëmijët tanë. Janë edhe më shumë akoma gratë që mbajnë lidhur prej më shumë se një viti zinxhirin e punës, përballë zinxhirit të infektimeve që sfidon të përditshmen tonë, duke kërcënuar vazhdimësinë e jetës për çdo kënd nga ne! Këto janë gratë heroina të betejës kovidiane që bota do i kujtojë gjatë!

Më tërhoqi gjithashtu në këtë ftesë audienca, qindra gra dhe vajza të mirarsimuara me tituj universitarë dhe pasuniversitarë nga 45 vende të botës dhe po kaq përfaqësuese nga bota e aktivizimit civil. Lejomëni t’i përcjell secilës shprehjen e admirimit e të respektit tim për atë që jeni, atë që bëni dhe atë që rrezatoni rrotull jush, duke e bërë botën më të mirë falë pranisë e kontributit tuaj!

Unë vij nga një familje myslimane. Jam e martuar me Edin, që është katolik. Dy fëmijët tanë nga martesa e mëparshme janë të krishterë ortodoksë dhe i treti, djali ynë i vogël gjashtëvjeçar, do ta zgjedhë vetë se cilës fe do t’i përkasë, nëse do të dojë ta bëjë një ditë këtë zgjedhje natyrisht. Kjo është në fakt Shqipëria e harmonisë ndërfetare, për të cilën ne shqiptarët krenohemi. Dhe për këtë shkak, në shtëpinë tonë gjenden librat e shenjtë të Kur’anit dhe Biblës, ku po njësoj jepet porosia se cilido që shpëton një jetë, ka shpëtuar të gjithë njerëzimin! Fati e solli në këtë vit kovidian të shohim jo një, por një armatë njerëzish në shpëtim të jetës dhe të gjithë njerëzimit, dhe gratë në ballë të tyre!

Unë jam ekonomiste. Por nuk është instikti i ekonomistes më i forti instikt që unë kam. Qëndron shumë më i fortë brenda meje instikti i nënës dhe i gruas me një interes që shtrihet përtej vetes dhe familjes, në çështje të interesit publik, me dëshirën e vazhdueshme që të gjej mënyrën për të qenë e dobishme në to. Për mua modeli i gruas profesionalisht të suksesshme është shumë i rëndësishëm, por nuk është në asnjë rast i mjaftueshëm. Dhe sot, në frontin e parë të luftës me kovidin për shpëtimin e jetëve të njerëzve, është së pari instikti i nënës, i vajzës dhe gruas ai që i paraprin profesionalizmit të mjekes, infermieres, sanitareve, mësueseve, sipërmarrëseve, shkencëtareve. Në këtë betejë të pamëshirshme, është pikërisht ky instikt që nuk i lë të lodhen, të mërziten, të dorëzohen.

Shqipëria sot ka një bilanc pararojë të përfaqësimit gjinor. 9 pikë më lart se mesatarja europiane për nga prezenca e gruas në nivelet më të larta të vendimmarrjes publike, e barabartë me mesataren europiane në përqindjen e grave në parlament, më shumë gra sesa burra ministra në kabinetin qeveritar, administratë publike mbi 60 % gra, gra edhe në majat e institucioneve të drejtësisë, prokurore dhe gjyqtare dhe sigurisht gjithnjë dhe më shumë modele të suksesshme grash sipërmarrëse apo në nivelet më të larta të administrimit privat.

Por, ndërsa i gëzohemi ngjitjes së grave drejt majave të vendimmarrjeve publike dhe private, dhjetëra e mijëra gratë e tjera presin të shohin atje, në majën e pushtetit politik dhe ekonomik, së pari një aktiviste dhe jo një burokrate. Që presin të pulsojë fuqishëm në karrigen e lartë të pushtetit apo në fronin e lartë të profesionalizmit dhe të sipërmarrjes, ashtu si për gratë heroina në betejën kovidiane, instikti i nënës dhe i gruas që në botën konkurruese lufton për të drejtën, refuzon ashpërsinë, dënon dhunën, hap shtegun e mundësive për të tjerë, shëron plagë, zgjat dorën, inspiron, motivon, mbështet pa u dorëzuar.

Kemi të drejtë të ndjehemi mirë dhe shpresëplotë sot teksa shohim më shumë ministre, gjyqtare, prokurore, menaxhere, administruese të larta, sipërmarrëse. Por kjo prezencë do të mbetet një statistikë më shumë në harresën e kohës nëse nuk do të përkthehet në mision për të influencuar zgjidhjet që presin problemet e mijëra vajzave dhe grave që përjetojnë dhunë, bezdi seksuale në vendin e punës apo në hapsirat publike, paragjykime që bëhen pengesë për shpalosjen e pasioneve të tyre, kushte të vështira pune, pamundësi arsimimi dhe punësimi, varfëri. Gratë do të triumfojnë vetëm atëherë kur mbi çdo pushtet do të qëndrojë pushteti i vlerave dhe i ndjenjave të thella njerëzore.

Ndaj nesër, ju, vajza dhe gra, ekonomiste, juriste, mjeke, inxhiniere, eksperte të të gjitha fushave, jam e sigurt që do të kërkoni me ngulm suksesin duke u përballur me sfida aspak të lehta. Do të ngjiteni në majat e larta të karrierës, duke shpërblyer kështu mundin tuaj dhe mbështetjen e familjeve tuaja. Por mos harroni që sakrifica e brezave kërkon, që në përpjekjet tuaja, së pari të thërrisni atë, instiktin e nënës dhe të gruas që botës postpandemike do t’i jepte modestinë, vetëpërmbajtjen, kontrollin e vetvetes, shmangien nga vëmendja për veten dhe nga vaniteti sipërfaqësor, disiplinën, gjenerozitetin, dhe sensin e bashkësisë pikërisht ato asete që Kur’ani thotë duhet t’i kultivoni “nëse doni të korrni sukses” (Surat An-Nur, 24; 31).

Bota e paspandemisë do të jetë një botë që do të kërkojë më shumë kuvendim, më shumë drejtpeshim të sfidave, më shumë dëgjesë mbi larminë e problemeve, më shumë përgjegjshmëri sociale për individët në nevojë, më shumë butësi, më shumë njerëzi, më shumë ndjeshmëri ndaj mjedisit, më pak grykësi dhe përballje për sundim. Ju e kuptoni më mirë se kushdo vlerën e kësaj urdhërese të Kur’anit: “Mos mëtoni çka Allahu i ka dhënë dikujt me tepri krahasimisht me të tjerët: burrave pjesën që kanë, grave njësoj, gjithë pjesën që u takon” (Surat An-Nisa’, 4; 32).

Ka ekzistuar një mit, i vjetër sa vetë bota, që lufta është vetëm për burra! Armata e grave në frontin e parë të betejës me COVID-19 provoi që gratë janë luftëtare të fuqishme dhe gjithnjë fituese!
Suksese të gjithave dhe secilës prej jush!

 

Fraksion.com