AktualitetPolitikëTë fundit

Krenar për skuadrën e PS; Kandidatura e Luljeta Bozos ka trembur palën tjetër

Kryeministri Edi Rama ka komentuar sot në ‘Kjo Javë’ në ‘News24’,  se sulmi ndaj Luljeta Bozos, mbi disa deklarata të saj lidhur me diktaturën janë fakt i frikës së opozitës për cilësinë e skuadrës së Partisë Socialiste.

Ai tha se në interpretimet e fjalëve shpesh herë krijohen keqkuptime, sipas tij herë me qëllim e herë pa qëllim. Rama tha se ndihet krenar për skuadrën e PS.

“Ka diçka për t’u kritikuar tek unë patjetër. Unë nuk jam i pa kritikueshëm, gjithkush është i kritikueshëm. Për këdo mund të kemi arsye që të kemi opinione pozitive pjesërisht, negative pjesërisht. Patjetër që mund të kritikojmë, por ajo që unë them është që unë jam krenar për skuadrën që kemi ndërtuar. Është skuadra më e mirë që ka patur Partia Socialiste në raport me shoqërinë në raport me atë që duhet të jetë një parti politike përballë shoqërisë në përpjekjen e vazhdueshme për të qenë pasqyrë e shoqërisë. Nuk janë skuadra engjëjsh, janë skuadra njerëzish. Njerëzit janë njerëz, dhe siç thotë ajo fjala: Edhe engjëlli edhe djalli, jetojnë brenda tek i gjalli”,u shpreh Rama.“Unë mendoj që ajo është thënë në një kontekst të caktuar dhe nuk kam asnjë dyshim se nuk ka qenë qëllimi, apo nuk është thënë për të relativizuar të keqen e diktaturës apo për të relativizuar vetë diktaturën. Nuk kam nevojë të flas me të sepse jam shumë i qartë se çfarë ka dashur të thotë, çfarë ka thënë dhe pastaj si dhe pse është interpretuar në atë formë. Me siguri që Luljeta është një nga arsyet që e ka shqetësuar palën tjetër për cilësinë e skuadrës dhe cilësinë e kandidaturave. Është një person i dashur për shqiptarët, një profesioniste e shkëlqyer, një grua me vullnet të madh dhe të gjitha këto janë mëse të mjaftueshme për ta respektuar plotësisht. Pastaj në interpretimet e fjalëve shpesh herë krijohen keqkuptime, herë me qëllim e herë pa qëllim. Kjo ka qenë e qëllimshme, e gjitha kjo që u bë kundër saj”,- theksoi Rama.

 

Fraksion.com