AktualitetPolitikëTë fundit

“Para tre ditësh, bëra tamponin…”; Mark Marku rezulton pozitiv, para 4 ditësh në takim elektoral pa maskë

Takimet elektorale të Partisë Demokratike gjatë fushatës, më shumë se sa për përmbajtjen e fjalimeve janë komentuar për grumbullimin e personave pa distancim social dhe pa maska, duke u kthyer në rrezik infektimi.

Drejtuesi politik i qarkut të Lezhës, Mark Marku, i cili ka marrë pjesë në takime të tilla elektorale, në shkelje të masave anti-Covid, është infektuar me koronavirus.

Lajmin e bën të ditur vetë Mark Marku, nëpërmjet në postimi në facebook, ku tregon se është asimptomatik dhe në gjendje të mirë shëndetësore.

“Të dashur miq! Para tre ditësh, pasi bëra tamponin dhe kontrollet mjekësore rutinë kam rezultuar pozitiv me Covid 19. Ju falenderoj përzemërsisht për qindra mesazhet mbështetëse, që kam marrë prej jush këto ditë.

Jam në gjendje të mirë shëndetësore, asimptomatik dhe, për t’ju ruajtur shëndetin kam munguar në takimet zgjedhore.

Do të mungoj edhe disa ditë, duke ndjekur këshillat e mjekëve të cilët gjej rastin t’i falenderoj për përkushtimin, profesionalizmin dhe mbështetjen e pakursyer njerëzore. Veçanërisht, dua të falenderoj mikun dhe mjekun e shkëlqyer; Prof. As. Dr. Krenar Lilaj. Shihemi së shpejti, mes miqsh”, shkruan Mark Marku.

Por takimi i fundit i tij elektoral, që është bërë publik është ai në Shënkoll, me grumbullim njerëzisht dhe pa maska. Takimi është bërë më 29 mars, pra vetëm 1 ditë para se të merrte përgjigjen e tamponit pozitiv, dhe janë publikuar në mediat sociale më 30 mars.

PD dhe kreu i saj, Lulzim Basha, janë kritikuar jo pak nga kryeministri Edi Rama dhe autoritet e tjera në vend për mosrespektimin e masave anti-COVID, pasi në çdo takim elektoral të tij ka patur një grumbull të madh njerëzish, pa maska e pa respektuar distancimin social.

 

Fraksion.com