Masakra e 2 Prillit në Shkodër; Topalli: Pas 3 dekadash, jemi larg ëndrrës së tyre
Kryetarja e Lëvizjes për Ndryshim, Jozefina Topalli, ka përkujtuar sot 30-vjetorin e Masakrës së 2 prillit, ku së bashku me kandidatët e saj, vendosën kurora me lule tek lapidari i Martirëve.
Në një prononcim për mediat, Topalli u shpreh se akoma sot pas 3 dekadash po jetohet një moment ku shpresa është larguar dhe ku nuk ka një qeveri dhe opozitë.
“Pas 3 dekadash jemi larg ëndrrës së tyre”, tha Jozefina Topalli ndërsa shtoi se vendi sot ka nevojë më shume se kurrë për ndryshim dhe “këtë nuk e bën as Lulzim Basha, as Rama, as Meta , as Monika Kryemadhi”.
2 prilli njihet si masakra e fundit e komunizmit në Shqipëri pasi , 30 vite më parë, më 2 prill 1991, një ngjarje shumë e rëndë tronditi jo vetëm qytetin e Shkodrës por të gjithë vendit, ku pas një proteste kundër regjimit u ekzekutuan 4 persona të pafajshëm.
Edhe pse kishte disa muaj që ishte rrëzuar busti i Enver Hoxhës në Tiranë, shteti autoritar vazhdonte të ishte në këmbë.
Plumbat e forcave të policisë morën jetën e Bujar Bishanakut, Arben Brocit, Nazmi Kryeziut dhe Besnik Cekës, sot të shpallur martirë të demokracisë, ndërkohë që me dhjetëra u plagosën.
Fraksion.com