Lumë kërkesash e pak vende pune për të diplomuarit
Situata e punësimit për të diplomuarit e universiteteve është shumë e vështirë në krizën e Coronës. Ata thonë, se dërgojnë pa fund aplikime po e kanë gati të pamundur të gjejnë punë. A është ky brezi i humbur i Coronës?
Qindra aplikime ka dërguar 24 vjeçari Jordi Battlo nga Barcelona në muajt e fundit, tani “kam ndalur së numëruari”, thotë ai. Refuzimet janë kthyer në rutinë për inxhinierin e ekonomisë. “Kur sipërmarrjet as nuk të marrin konsideratë, kjo më krijon përshtypjen, se gjithçka kam bërë nuk vlen”, thotë Battlo. Në korrik 2020 ai përfundoi masterin në Business School në Madrid dhe bëri vetëm një praktikë, tani është i papunë.
Sipërmarrjet kanë ndalur punësimin në krizën e Coronës
Jordi Battlo bën pjesë tek ata miliona absolventë të rinj në të gjithë Europën që duhet të kërkojnë vendin e tyre në një treg pune të tejmbushur. Sipas Zyrës së Statistikave në Bashkimin Europian, Eurostat, papunësia e të rinjve në BE kap shifrën 17%, dhe me këtë është dy herë më e lartë se kuota e përgjithshme e papunësisë. Në tetor 2020 Organizata për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Zhvillimin, OECD paralajmëroi që Europa rrezikon të lerë mbrapa një brez të gjithë të rinjsh. Në vitin e pandemisë jo vetëm që u ndalën punësimet, por edhe u rrit papunësia, një lumë kërkesash përballet me shumë pak vende të hapura pune, theksojnë ekspertët.
Numri i kërkesave është “rritur ndjeshëm”
Qindra kilomtra larg Barcelonës në Dublin rri ulur dhomën e fëmijërisë Georgia Burns, 23 vjeç. Që nga shtatori i vitit 2020, kur ajo përfundoi masterin në menaxhim në University College London ajo ka të njëjtat shqetësime si Jordi Battlo. “Kur e fillova masterin mendoja, ok, kur të përfundoj studimet do të gjej punë. Tani erdhi pandemia dhe unë bëj një praktikë me orar të reduktuar me pagesë minimale.”
Kurse Jordi Battlo nga Barcelona beson, se për ata që përfundojnë studimet është bërë gati e paarritshme gjetja e një vendi pune. “Për çdo vend pune ka dy herë më shumë aplikues se më parë. Madje edhe për punët ku kërkohen fillestarë aplikojnë tani persona me dy ose tre vite përvoje punë.”
Këtë zhvillim e kanë vënë re edhe punëdhënësit. “Numri i kërkesave për punë është rritur në mënyrë masive”, shprehet për Deutsche Wellen, Oliver Zischek, drejtues i sektorit të burimeve njerëzore tek Deloitte, Gjermani. Në vjeshtën e vitit 2020 kjo sipërmarrje ka marrë 425 më shumë aplikime se më parë. Kudo në Europë zyrat e Deloitte përjetojnë një fluks kërkesash.
Rëndim i gjendjes psikologjike
Vështirësia për gjetjen e një vendi pune dhe kërkimi i vazhdueshëm pa sukses ka pasoja psikologjike. Sipas një sondazhi të Organizatës Botërore të Punës dhe Forumit Europian për Rininë nga viti 2020, rreth 50% e të rinjve në të gjithë botën tregojnë shenja të frikë dhe depresionit. Edhe 23 vjeçarja Burns nga Dublini e ka të vështirë të ruajë shpresën. Georgia Burnsin e ndihmojnë tani shëtitjet me miqtë që po ashtu janë në kërkim të punës. “Të ndihmon kur ke dikë që e kupton se si është puna”, thotë ajo.
Ekspertët besojnë, se problemet e brezit të ri do të kenë pasoja afatgjata. “Mesazhi që ne marrim është që gjithçka do të normalizohet. Por rreziku i një brezi të humbur nuk është i përkohshëm”, thotë Silja Markkula presidente e Forumit Europian të Rinisë me qendër në Bruksel. Ajo i trembet faktit që për një kohë të gjatë të ardhurat e të rinjve do të mbeten të ulta. Edhe optimizmi mund të bjerë.
Ide në kohë krize
Esther Jardim nga Londra që i përfundoi studimet në vitin 2009 gjatë krizës globale financiare ka mirëkuptim për absolventët. Por nëse e shikon historinë e saj, ajo shikon edhe avantazhet që sjell një rënie ekonomike me vete. Kur ajo në vitin 2010 merrte vetëm refuzime të kërkesave për punë, Esther vendosi të bëjë një veprim radikal. Me një tabelë në gjoks ku shkruhej biografia e saj e punës ajo ecte nëpër lagjen High Holborn. Ky aksion i solli asaj 30 intervista për vende pune dhe një punë në një agjenci të madhe publicitare në Londër. Falë mediave sociale gjendja ka ndryshuar thotë ajo. “Mediat sociale kanë ndryshuar barrierat. Ju mund t’u shkruani drejt njerëzve të njohur në një firmë”, thotë ajo për Deutsche Wellen./DW
Fraksion.com