AktualitetKosovaTë fundit

Kosova në prag të krizës politike

Kosova ndodhet të premten në prag të krizës së re politike, që mund të çojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Lëvizja Vetëvendosje në pushtet kërkoi seancë të jashtëzakonshme të parlamentit të Kosovës, për ndryshimin e ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, ndërsa la të hapur mundësinë që menjëherë të kërkojë një seancë të re për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, duke nxitur shumë reagime e pakënaqësi të opozitës.

Lëvizja Vetëvendosja tha se ndryshimi i ligjit për zgjedhjet është një detyrim elektoral për t’i mundësuar diasporës votimin nëpër ambasada. Në zgjedhjet e 14 shkurtit Vetëvendosje mori 75 për qind të votave të mërgimtarëve të hedhura nëpërmjet postës.

Kërkesa e lëvizjes Vetëvendosje u kritikua ashpër nga partitë opozitare dhe organizatat për vëzhgimin e zgjedhjeve, që e cilësuan si nismë të ngutshme dhe përpjekje për shantazh ndaj partive tjera politike para votimit për presidentin.

Më herët gjatë së premtes kryeministri Albin Kurti tha se vendi ka nevojë që së pari të përmbyllë procesin e formimit të institucioneve duke zgjedhur presidentin e ri.

“Është e domosdoshme që ta përmbyllim hapin e tretë të konstituimit të institucioneve në mënyrë që ta kemi mandatin katër vjeçar. Përndryshe, shkojmë në zgjedhje”, tha kryeministri Kurti, partia e të cilit mbështet kanidaturën e zonjës Vjosa Osmani për këtë post.

Kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, i cili ishe zotuar se do të marrë pjesë në votimin për presidentin, i bëri thirrje kryeministrit Kurti që të tërheqë nismën për ndryshimin e ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, duke nënvizuar që kjo nuk ndodhë, atëherë kryeministri Kurti, qëllimshëm do ta çojë vendin në zgjedhje të reja.

“Shantazhi i sotëm lë të kuptohet se Kurti ose nuk dëshiron të zgjidhë ketë çështje ose dëshiron të krijojë destabilitet politik për të fshehur paaftësinë e tij për t’u përballur me probleme të mëdha të cilat ka premtuar se do t’i zgjidhë dhe për të cilat e kanë votuar qytetarët”, tha zoti Abdixhiku.

Kundër nismës u deklaruan edhe Partia Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Një grup organizatash të shoqërisë civile thanë se “Përkundër nevojës që vendi të ketë reformim të legjislacionit zgjedhor, kjo nuk e arsyeton urgjencën me të cilën po tentohet të ndryshohet Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Një proces kaq i rëndësishëm për demokracinë në vend, duhet të jetë gjithëpërfshirës, me pjesëmarrje të opozitës dhe konsultim të gjerë me organizatat e shoqërisë civile, publikun dhe të fund të kërkohej edhe opinioni i Komisionit të Venedikut”, thuhet në një deklaratë të këtyre organizatave, duke bërë thirrje për tërheqjen e kërkesës së lëvizjes Vetëvendosje.

Ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të kësaj lëvizjeje, Mimoza Kusari Lila, tha se ndryshimet e ligjit janë përmbushje e premtimit elektoral.

“Kjo në fakt është një domosdoshmëri e kohës për të siguruar që në rast se, nuk është dëshirë as vullnet i yni, nuk është aspak as shantazh, në fakt është një rikujtim për të gjithë ne se kemi nevojë për një proces zgjedhor në të cilën vullneti i qytetarëve të Republikës së Kosovës nuk mohohet pa marr parasysh ku jetojnë ata dhe në rastin më të keq në dështimin e zgjedhjes së presidentit është e pashmangshme, edhe nuk do të jetë vullnet i yni. por është e pashmangshme shkuarja në zgjedhje nacionale”, tha zonja Kusari Lila.

Ajo tha më herët gjatë ditës se janë paraqitur dy kandidatura për postin e presidentit, Vjosa Osmani dhe Nasuf Bejta, që kishte kandiduar në zgjedhjet e 14 shkurtit në listën e lëvizjes Vetëvendosje. Pjesëmarrja në votim e dy e më shumë kandidatëve, është e domosdoshme në mënyrë që të mund të fillojë procedura për zgjedhjen e presidentit.

Sipas Kushtetutës, zgjedhja e presidentit kërkon në dy raundet e para të votimit dy të tretat e votave, ndërsa në raundin e tretë, mund të zgjidhet me shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në votim duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë.

Partia Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë hedhur poshtë mundësinë që të votojnë kandidaten e lëvizjes Vetëvendosje për këtë post, Vjosa Osmani, ndërsa Lidhja Demokratike, është zotuar se do të marrë pjesë në votimet për presidentin e ri, por të premten mbrëma kjo u vu në pikëpyetje. Dështimi për të zgjedhur presidentin e vendit, e çon vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme./VOA

 

Fraksion.com