AktualitetTë fundit

Kolaudimi i makinave: Shtohet edhe 1 muaj afati i vlefshmërisë

Të gjithë drejtuesit e mjeteve që kanë përfituar nga zgjatja 3-mujore e afatit të vlefshmërisë së certifikatës së kontrollit teknik, do të përfitojnë edhe një afat prej 30 ditë shtesë dhe do të pajisen me vulë të posaçme në Lejen e Qarkullimit ose certifikatën e kontrollit teknik pranë çdo Drejtorie Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor.

Pas përfundimit të kontratës koncesionare me kompaninë SGS- Albania ky shërbim pritet të ofrohet nga shteti. Për kapërcimin e fazës tranzitore qeveria miratoi në muajin dhjetor aktin normativ që u mundëson edhe 3 muaj shtesë për kryerjen e shërbimit të kolaudimit, si për ata që u përfundon në dhjetor të 2020 dhe për ata në 2021.

Për zgjatjen tjetër të afatit të vlefshmërisë me 30 ditë plus, kreu i Drejtorisë të Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor, z. Blendi Gonxhe pohoi për Monitor se është e përcaktuar në nenin 91 për lëshimin e kopjes përmbledhëse, të dokumenteve të qarkullimit të parashikuara në nenin 178, të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë, i ndryshuar dhe për këtë janë vënë në dijeni të gjitha organet dhe institucionet përkatëse.

“Akti normativ nuk ka datë të sotme, ai vlen si 3 muaj plus për çdo kënd që ka një certifikatë të vlefshme, pra u shtohet edhe 3 muaj automatikisht. Drejtuesi i mjetit shkon paguan taksat dhe merr vulën e shtesës, në leje. P.sh ka plot që u skadon sot, se e kanë bërë në 1 prill 2020 kolaudimin, ata shkojnë paguajnë taksat dhe marrin sot vulën. Dhe kështu ka me mijëra. Shtesa prej 3 muajshi nuk është fiks. Është shtesë për këdo. Për ata që u ka skaduar edhe kjo shtesë, një pjesë e vogël, policia ka njoftim që u takon edhe 1 muaj tjetër me Kod Rrugor. Përsëri me të njëjtën skemë”, tha Gonxhe.

Ndryshimet në kodin Rrugor që pritet të miratohen nga Kuvendi, legjitimojnë ofrimin e shërbimit pa ndryshim tarifash për të gjitha mjetet, por me afate të reja për kryerjen e shërbimit të detyrueshëm.

“DPSHTRR, po riinxhinjeron në tërësi sistemin dhe për këtë kanë nisur investimet, rikualifikime, vendosja e pajisjeve të reja etj, programi i rrjetit të komunikimit informatik. Po presim ndryshimet në Kodin Rrugor që ta nisim me normat e reja (të aprovuara në qeveri e komisionet parlamentare) sipas direktivës së BE-së”, shpjegon kreu i Shërbimit të Transportit Rrugor.

Në fund të muajit nëntor përfundoi kontrata me koncesionin SGS për kolaudimin e makinave. Më 3 shtator të vitit 2009 nga qeveria e mëparshme u nënshkrua me SGS kontrata për “Dhënien me Koncesion të Shërbimit të Kontrollit të Detyrueshëm Teknik të Mjeteve me Motor dhe Rimorkiove të tyre në Republikën e Shqipërisë” (në atë periudhë shërbimi nisi për një flotë prej 200,000 automjetesh që qarkullonin në vend me një normë rritje 6% në vit. Aktualisht në vend janë të regjistruara rreth 630,000 mjete).

Në përfundim të kontratës me afat 10 vjeçar, në shtator të 2019-s qeveria dhe operatori SGS ranë dakord për ndryshimin e përfundimit të kontratës, duke vendosur afatin e ri deri në datën 31.12 2020. Me rinovimin e kontratës kontrolli teknik i detyrueshëm i mjeteve për të paktën 1 vit vazhdoi të kryhet nga koncensionari./ Monitor

 

Fraksion.com