“Edhe pse ‘djemtë e këqij’ s’e duan”; Yuri Kim: SPAK po çon pas hekurave kriminelët, Reforma në Drejtësi po ecën përpara
Ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim ka përshëndetur sot lajmin se janë përzgjedhur 28 hetuesit e parë të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Teksa ka shpërndarë mesazhin e ambasadës së SHBA, Kim ka dhënë edhe një mesazh lidhur me zhvillimin në sistemin e drejtësisë në vend. Kim shprehet ndër të tjera se SPAK po sekuestron pasuri dhe po çon kriminelët pas hekurave.
“SPAK po procedon më shumë, duke sekuestruar pasuritë dhe duke i vendosur kriminelët pas hekurave; Gjykata Kushtetuese po funksionon; Gjykata e Lartë po shqyrton çështje; vetingu vazhdon. Inspektorët e BKH po trajnohen. Reforma në Drejtësi nuk është e lehtë, e shpejtë ose e përsosur, por po ecën përpara edhe nëse “djemtë e këqij” nuk e duan atë,” shkruan Kim.
Ambasada e SHBA në vendin tonë gjithashtu ka uruar 28 kandidatët, që kanë kaluar kushtet e sigurisë për t’u bërë pjesë e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Përmes një postimi Ambasada shkruan se SHBA do të vazhdojnë të mbështesin SPAK dhe të gjithë ata që i përgjigjen thirrjes së detyrës për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në emër të popullit shqiptar.
Fraksion.com