AktualitetEkonomiTë fundit

Bashkëpunimi me SHBA; Balluku: TEC- i Vlorës, arritje gjeopolitike shumë e rëndësishme për Shqipërinë

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku tha se “TEC- i Vlorës është një arritje gjeopolitike shumë e rëndësishme për Shqipërinë”.

Gjatë një interviste Balluku u shpreh se “gjej rastin të falenderoj ambasadoren e SHBA në vendin tonë, Yuri Kim, pasi ka qenë e impenjuar në këtë proces dhe i ka ndjekur nga dita e parë dhe vazhdon t’i ndjekë deri më sot dhe unë jam me të në një bashkëpunim të ngushtë”.

Balluku informoi se, TEC-i i Vlorës është një projekt i dështuar ndër vite fatkeqësisht. Sot e kësaj dite qeveria shqiptare i paguan një kredi Bankës Botërore, për projektin që nuk arriti kurrë ta vendosë në funksion atë vepër.

“Pas një pune shumë të detajuar kemi arritur në përfundimin e një bashkëpunimi të shkëlqyer me dy nga kompanitë “‘Exxon Mobil’ dhe ‘Excelerate Energy’ më të mëdha të teknologjisë së gazit të lëngshëm për termocentralet dhe të shpërndarjes së gazit të lëngshëm”- theksoi Balluku.

Ministrja tha se “përvec vënies në funksion të këtij TEC-i, me një prodhim më shumë se 250 mega vat (MW) që është një sasi mjaft e rëndësishme energjetike, në atë vend në Vlorë, parashikojmë ngritjen e portit të lundrueshëm për shpërndarjen e gazit të lëngshëm”.

“Kështu që Vlora kthehet në hartë, në një pikë për shpëndarjen e gazit të lëngshëm në Ballkan, që është një hap shumë i rëndësishëm” – deklaroi Balluku.

Balluku tha se gjithashtu në Vlorë ka nisur zbatimi investimeve të rëndësishme për shtrirjen e rrjetit të energjisë nën tokë si dhe po vijon projekti për furnizmin me ujë të pijshëm 24 orë.

 

Fraksion.com