AktualitetTë fundit

Shkatërrimi i 18 bazave kriminale në Tiranë, pamjet nga aksioni i policisë: Arsenali i armëve të sekuestruara

Policia e Shtetit ka publikuar pamjet nga aksioni ku u goditën 18 baza kriminale, ku iu sekuestruan arsenal armësh të ndryshme, ndërsa në pranga ranë 5 persona dhe u shpallën në kërkim dy të tjerë.

Policia e Shteti ka dalë në konferencë për shtyp pas zbardhjes së tre operacioneve kriminale, ku ka përfunduar në arrestimin e 3 personave dhe një është shpallur në kërkim. Drejtori i Policisë së Tiranës, Rebani Jaupi tha se finalizimi i operacionit “Kompleks’ është bërë në bashkëpunim me SPAK ku u goditën 18 baza për modifikim, për magazinim dhe për shitje të armëve luftarake dhe u zbardhën 3 ngjarje kriminale me armë e eksploziv të ndodhura më parë. Goditen 18 baza.

Në pranga Paris Prenga, Bledar Deda dhe Flor Abazi, në kërkim Sokol Gjura. Ky grup kriminal tentoi të vriste me eksploziv në 2019 Artan Bylykun, kunat i Donart Konjarit.

Sekuestrohen 7 automjete, 2 prej tyre të blinduara, sniper, antitank, kallashnikov dhe municione.

 

Njoftimi i Policisë të  Shtetit

Në kuadër të këtij operacioni, nga shërbimet policore, pas vlerësimit të informacioneve të marra dhe hetimeve të kryera, u bë i mundur saktësimi, lokalizimi dhe goditja e 18 bazave që shërbenin për modifikimin, magazinimin dhe furnizmin me armë të grupeve kriminale në territorin e të gjithë vendit. Po gjatë operacionit u bë lokalizimi dhe kapja 3 personave për të cilët SPAK ka lëshuar urdhër ndalimi, konkretisht:

Paris Prenga, Bledar Deda dhe Flor Abazi; Si dhe u shpall në kërkim shtetasi Sokol Gjura, i cili është larguar jashtë vendit javë më parë.

 

 

Ndalimi i këtyre shtetasve u bë për arsye se këta persona, së bashku dhe me dy persona të tjerë të arrestuar më parë, Ermond Jamaku dhe Enver Jamaku, dyshohet se janë autorë të ngjarjes së ndodhur më datë 18 tetor 2019, në Tiranë, ku është tentuar të vritet me eksploziv të telekomanduar shtetasi A. B.

Shtetasi i shpallur në kërkim Sokol Gjura dyshohet se së bashku me dy persona të tjerë të arrestuar më parë, Ermond Jamaku dhe Enver Jamaku, janë autorë të sulmit me armë ndaj shtetasit P. P., ngjarje e ndodhur më datë 10 shtator 2017, në rrugën “Muhamet Deliu” në Tiranë.

Gjithashtu, këta persona dyshohet se janë autorë të vendosjes së lëndës eksplozive, granatës dhe armës së zjarrit, si dhe të një lënde narkotike të dyshuar si heroinë në banesën e shtetasit E. S., ngjarje e ndodhur më datë 15 shtator 2017 në Tiranë.

Në kuadër të operacionit, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit Akil Kulla, i cili është shpallur në kërkim, Policia ka gjetur dhe sekuestruar një arsenal armësh luftarake të kalibrave të ndryshëm dhe municion luftarak, konkretisht një snajper prodhim i fundit, 4 kallashnikovë, dy granatahedhës, një pistoletë dhe pjesë për riparim dhe modifikim të armëve të zjarrit.

Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Bujar Jaupi, me profesion tornitor, i cili u arrestua në flagrancë, janë gjetur dhe sekuestruar 25 silenciatorë për armë të ndryshme të prodhuara nga ky shtetas në tornon që kishte në përdorim në ambientet e banesës, një pistoletë me mulli dhe qindra pjesë për modifikimin dhe riparimin e armëve të zjarrit.

Nga kontrolli i banesës së shtetasit Sokol Gjura, janë gjetur dhe sekuestruar radio si ato të policisë dhe të ushtrisë, një optikë termike speciale për snajper, ndërsa në magazinën e këtij shtetasi u gjetën dhe u sekuestruan 20 makineta të reja të lojërave të fatit, 6 tavolina ruleti, një automjet i blinduar, si dhe automjeti i përdorur nga autorët në vrasjen e mbetur në tentativë të shtetasit A. B.

Ndërsa në banesën e shtetasit Paris Prenga janë gjetur një armë zjarri pistoletë dhe një sasi lënde narkotike kokainë.

Në banesën e shtetasit Flor Abazi janë gjetur një sasi municioni për armë zjarri, 2 qese me lendë narkotike kokainë dhe një automjet i blinduar.

Po në kuadër të operacionit, nga kontrolli në banesën e shtetasit Arben Sufa, me profesion tornitor, Policia gjeti një pistoletë dhe pjesë për silenciatorë.

Për arsye hetimore nuk bëjmë me dije të dhëna të tjera, pasi operacioni vijon për zbadhjen e ngjarjeve të tjera në të cilat dyshohet se janë të përfshirë këta shtetas dhe shtetas të tjerë.

Policia e Shtetit është e vendosur për të krijuar një ambient sa më të sigurt duke parandaluar dhe goditur ashpër të gjithë personat që tentojnë të ushtrojnë veprimtari kriminale në fushën e krimeve kundër personit, në fushën e narkotikëve apo trafiqeve të paligjshme dhe në këtë kuadër fton qytetarët që të vijojnë bashkëpunimin e shkëlqyer me strukturat e Policisë së Shtetit, duke denoncuar çdo rast të paligjshmërisë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin pa pagesë 112.

 

Fraksion.com