Miratohet fleta e votimit me emra për zgjedhjet e 25 prillit! PD dhe PS të pakënaqur, do e ankimojnë
Shqiptarët në 25 prill do t’u drejtohen kutive të votimit me një fletë ku janë të shënuar emrat e kandidatëve për deputetë dhe jo me numra. Vendimi është marrë në mbledhjen e ditës së sotme, ku kryekomisioneri Ilirjan Celibashi i dha të drejtë Partisë Demokratike dhe jo sikur e dëshironte Partia Socialiste.
Ajo do të jetë në përmasat. 29.7. X 60, do të jetë me emra dhe do të jetë fletë votimi horizontale, siç e shihni në foton e sjellë nga Report Tv. Madhësia e fletës do të jetë e njëjtë për çdo qark, si në Tiranë që numrin më të madh të kandidatëve, ashtu edhe në Kukës, apo qarqet e tjera më të vogla. Ajo që ndryshon është madhësia e shkrimit! Pra, emrat në kryeqytet janë me germa më të vogla për shkak se janë 36 kandidatë.
Më herët, përfaqësuesi i PS-së, Eridjan Salianji u shpreh kundër fletës së votimit me emra, me argumentin se kjo do e ndërlikonte shumë procesin e votimit, por nuk ishte i këtij mendimi përfaqësuesi i PD-së në KQZ, Ivi Kaso. Ky i fundit tha se një fletë me emra është reflektim i listave të hapura. “Ata që më herët ishin “dashnorë” të listave të hapura, sot kërkojnë të fshehin kandidatët pas numrave”, tha më herët Kaso.
Të pakënaqur me vendimin e Celibashit, PS-ja pritet që ta ankimojë në KAS, dhe me shumë gjasa çështja e fletës së votimit do të përfundojë deri në Kolegjin Zgjedhor. Nga ana tjetër, pavarësisht se nuk e ngriti si pretendim në mbledhjen e kryekomisionerit, PD pritet të ankimojë vendimin, për faktin se fleta e votimit, është e orientuar horizontalisht, dhe jo vertikalisht, sipas modelit paraprak të propozuar nga Celibashi. Edhe për këtë çështje, me shumë gjasë fjalën e fundit do ta thotë Kolegji Zgjedhor, çka do të vonojë edhe më tepër njohjen e votuesit me fletën e votimit.
Fraksion.com