AktualitetPolitikëTë fundit

Meta: Presidenti nuk pyet për mafien ndërkombëtare dhe as për diplomatë të korruptuar

Presidenti Ilir Meta u shpreh sot se më i rëndësishëm është procesi zgjedhor dhe jo rezultati i zgjedhjeve.

Duke folur në një intervistë televizive, Meta tha se qëndrimet e tij kanë interes vetëm vendosjen e legjitimitetit të plotë të të gjitha institucioneve.

“Për mua nuk është e rëndësishme se kush fiton zgjedhjet, por që zgjedhjet të jenë një mundësi historike për vendin për t’u shkëputur nga kjo pengmarrje, nën shembullin e dosjeve të Shijakut dhe Dibrës. Procesi është shumë i rëndësishëm”, theksoi Meta.

“Ilir Meta nuk pyet për horrat dhe gangsterët, nuk pyet për mafien ndërkombëtare dhe as për diplomatë të korruptuar. Ilir Meta mendon vetëm për Shqipërinë dhe për respektimin e Kushtetutës. Madje edhe sot kam një paralajmërim të prerë për ta, në veçanti për mafien ndërkombëtare, të bëjnë kujdes, sepse Shqipëria nuk është një vend eksperimental”, tha Meta.

“Mafia ndërkombëtare i ka të regjistruara në telefonat e saj mesazhet e Presidentit, por dhe ballë për ballë i kam paralajmëruar: Duhet të jenë shumë të kujdesshëm me Shqipërinë dhe me shqiptarët. Shqiptarët janë zot në vendin e tyre dhe ne, zgjidhjen do e japim vetë”, u shpreh Presidenti.

Duke u ndalur te Reforma në Drejtësi, Meta tha se Adrian Dvorani është dhunues i Kushtetutës, këtë s’e ndryshon asnjë gjë.

“Adrian Dvorani do shkojë në burg për dhunimin e Kushtetutës, kjo punë ka marrë fund. Shpëtim për të nuk do të ketë. Këtë ta kenë të qartë të gjithë”, tha Meta.

“Ai që nuk ka shkelur ligjin dhe Kushtetutën nuk ka pse të ketë frikë nga burgu. Burgu është për ata që shkelin Kushtetutën dhe jo për qytetarët e thjeshtë, që bëjnë kundravajtje administrative. Burgu është edhe për ata, peshkaqenët e mëdhenj, për trafikantët ndërkombëtarë. Parlamenti i ri i dalë nga zgjedhjet e 25 prillit do të kthejë drejtësinë në vend. Në Shqipëri tani të gjithë e dinë që, Vetingun e bën Ëngjëll Agaçi”, tha Meta.

 

Fraksion.com