Biden zbulon planin masiv të investimeve në infrastrukturë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, zbuloi një plan investimesh prej 2.3 trilionë dollarësh, që synon modernizimin e rrjetit të transportit në SHBA dhe krijimin e miliona vendeve të punës.
Biden e krahasoi planin e tij “transformues” me programin hapësinor të SHBA-së të viteve 1960, duke thënë se ai do ta përmirësojë mirëqenien e amerikanëve të klasës së varfër dhe të mesme.
Biden tha se plani do të financohet nga rritja e taksave për kompanitë e mëdha dhe të pasurit.
“Unë jam duke propozuar një plan për kombin, i cili shpërblen punën, jo vetëm pasurinë. Ndërton një ekonomi të ndershme, që i jep secilit shans për të pasur sukses. Do të krijojë ekonominë më të fortë dhe më inovative në botë”, tha Biden.
“Është një investim që bëhet një herë në një brez në Amerikë, ndryshe nga çdo gjë që kemi parë ose bërë, qëkur kemi ndërtuar sistemin e autostradave ndërshtetërore dhe qëkur kemi nisur garën hapësinore, dekada më parë”, tha Biden në një fjalim nga qyteti Pitsburg i Pensilvanisë.
Plani parasheh përmirësime gjithëpërfshirëse të transportit, telekomunikacionit dhe infrastrukturës energjetike, si dhe gjelbërimin e ekonomisë për të luftuar ndryshimet klimatike.
Ai gjithashtu përfshin para për të rritur prodhimin vendas, zinxhirët e furnizimit dhe zhvillimin që do të ruante më pas konkurrencën e SHBA-së, sidomos kundër Kinës.
Biden tha se plani ka të bëjë me gjallërimin e ekonomisë së dobësuar nga pandemia COVID-19 dhe me rikthimin e konkurrencës së saj globale.
“Nuk mund të vonojmë edhe një minutë tjetër. Ka kaluar shumë kohë”, tha Biden.
”Është investimi më i madh në vende të punës në Amerikë që nga Lufta e Dytë Botërore. Do të krijojë miliona vende pune, punë të paguara mirë”, shtoi ai.
Plani i tij duhet të miratohet në Kongres.
Ai është pritur me rezistencë nga republikanët dhe grupet e mëdha të biznesit. Edhe disa demokratë kanë thënë se nuk janë të sigurt në lidhje me koston.
“Nëse do të ketë rritje masive të taksave dhe triliona dollarë më shumë borxh kombëtar, nuk ka të ngjarë [të kalojë]”, tha republikani Mitch McConnell, udhëheqës i pakicës në Senat.
“Ne besojmë se propozimi është rrezikshëm i gabuar kur bëhet fjalë për mënyrën e pagimit të infrastrukturës”, tha përmes një deklarate Dhoma e Tregtisë.
Biden u zotua se nuk do t’i rrisë taksat për individët ose familjet që fitojnë nën 400,000 dollarë në vit.
“Dështimi për t’i bërë këto investime shton borxhin tonë dhe, në mënyrë efektive, i vë fëmijët tanë në një disavantazh, në krahasim me konkurrentët tanë”, tha Biden.
“Përçarjet e momentit nuk duhet të na ndalojnë të bëjmë gjënë e duhur për të ardhmen”, shtoi presidenti.
Biden po ecën përpara me agjendën e tij ekonomike, pasi në fillim të këtij muaji nënshkroi në ligj një paketë të ndihmës prej 1.9 trilion dollarësh. Kjo paketë synon të ndihmojë rimëkëmbjen nga pasojat e pandemisë së koronavirusit.
Në javët e ardhshme, administrata Biden pritet të propozojë edhe një paketë tjetër, në vlerë prej 2 trilionë dollarësh, e cila do të përqendrohet në prioritetet sociale, të tilla si kujdesi shëndetësor, arsimi dhe kujdesi për fëmijët./rel
Fraksion.com