AktualitetPolitikëTë fundit

Xhafaj: Do t’i shkoj deri në fund betejës për Drejtësi në këtë vend

Deputeti i PS, Fatmir Xhafaj, i cili kandidon i 23-ti në listën e PS në qarkun e Tiranës, deklaroi sot për të, më e rëndësishme është se për çfarë ka hyrë në garë, çfarë synon të japë në këtë garë për të rimarrë një mandat tjetër si deputet i Kuvendit.

Ai theksoi se do ta pranonte sfidën edhe sikur të ishte i 31-ti në listë.

“Për mua nuk ka shumë rëndësi se ku jam, por se çfarë bëj. Nuk ka shumë rëndësi se çfarë flas, po se çfarë bëj. Ajo që është shumë e rëndësishme është qëllimi që kam ajo çfarë dua të bëj dhe çfarë dua të vazhdoj. Kam nisur një betejë të cilës dua t’i shkoj deri në fund. Beteja për drejtësi në këtë vend. Dhe në emër të këtij qëllimi të lartë, në emër të kësaj kauze isha i gatshëm që edhe i 31-ti të isha në listë të vazhdoja të luftoja”, u shpreh Xhafaj.

Por, shtoi Xhafaj, “ka dhe një gjë tjetër. Ky sistem të jep mundësi që pavarësisht vendit ku ti renditesh ka një listë që bëhet nga kryesia, nga kryetari, por ka dhe një renditje që e bën vota e votuesve, e zgjedhësve shqiptarë”.

“Unë besoj që do ta tejkaloj numrin e duhur të votave dhe do të jem përsëri deputet në Kuvendin e Shqipërisë”, u shpreh Xhafaj.

“Nëse zgjedhësit e një komuniteti zgjedhin x apo y dhe ky arrin të kapë 10 mijë vota ata kanë zgjedhur përfaqësuesin e tyre dhe janë në të drejtën e tyre dhe kjo është një gjë legjitime, për sa kohë është brenda të gjithë rregullave të një loje të ndershme elektorale”, vijoi Xhafaj.

“Rregullat janë në ligj. Deri tani nuk shoh deformime dhe nuk do të dëshiroja të besoj që në Tiranë në 2021 të mund të kemi raste të blerjes së votës apo të ndikimit të llojeve të ndryshme për ta tjetërsuar votën deri në atë nivel sa të shkojë përtej për të ndryshuar rezultatin”, tha Xhafaj.

I pyetur për deklaratën e ambasadores së SHBA, Yuri Kim, për të mos e shitur votën, Xhafaj tha se, “është mirë ta dëgjojmë herë pas here Ambasadoren amerikane, sepse Ambasadorja amerikane është përfaqësuesja e SHBA, është përfaqësuesja e partnerit tonë kryesor strategjik”.

“Ata lobuan dhe na bënë pjesë të Aleancës Atlantike, na bënë pjesë të NATO-s, po ata gjithashtu kanë të drejtën që të kërkojnë që ne në procese të tilla të rëndësishme të sillemi si një vend anëtar i NATO-s, si një vend që aspiron të jetë anëtar i BE. Dhe nga kjo pikëpamje nuk ka absolutisht asnjë gjë të keqe që të dëgjojmë një këshillë nga miqtë tanë”, u shpreh Xhafaj.

“Ajo që kuptova unë nga mesazhi i drejtë i Kim ishte një mbështetje ndaj një kërkese, ose më saktë ndaj mesazhit publik të kryesuar nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve në reagim normal të punës, së detyrës së tij lidhur me procesin elektoral”, tha Xhafaj.

 

Fraksion.com