Qeveria jep ndihmë financiare për familjen e Dëshmorit Arjan Sala
Qeveria shqiptare vendosi që të japë një ndihmë financiare për familjen e Dëshmorit të Atdheut, Arjan Sala.
Në Fletoren Zyrtare shkruhet se qeveria me propozim të kryeministrit Edi Rama, vendosi dhënien e ndihmës financiare, në shumën 1 000 000 lekë, familjes së Dëshmorit të Atdheut Arjan Sala, i cili humbi jetën gjatë ndërhyrjes për shpëtimin e personave të rrezikuar nga zjarri i rënë në ambientin ku ai puonte.
32-vjeçari hero u fut në magazinën që u përfshi nga flakët duke i shpëtuar jetën 20 punonjësve të tjerë, ndërsa vetë u nxorr i pajetë dy ditë më parë.
Njoftimi:
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës; të ligjit nr. 9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr. 137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:1. Dhënien e ndihmës financiare, në shumën 1 000 000 (një milion) lekë, familjes së Dëshmorit të Atdheut Arjan Sala, i cili humbi jetën gjatë ndërhyrjes për shpëtimin e jetëve të personave të rrezikuar nga zjarri i rënë në mjediset e tij të punës, në datën 24 mars 2021. 2. Efekti financiar, sipas pikës 1, të këtij vendimi, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2021. 3. Ngarkohet Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.
Fraksion.com