AktualitetPolitikëTë fundit

Politika mesazhe ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Bashkim Finos

Politikanë, zyrtarë, miq e kolegë kanë përcjellë sot mesazhe ngushëllimi për ndarjen e papritur nga jeta të deputetit socialist, Bashkim Fino.

Deputeti i Partisë Socialiste Bashkim Fino, u nda nga jeta në moshën 59-vjeçare, pasi ishte i infektuar me COVID-19.

Meta: Dhembje e madhe, që na ka lënë pa fjalë

Presidenti Ilir Meta tha se “ndarja e papritur nga jeta e mikut, kolegut, politikanit të moderuar dhe e Kryeministrit të Pajtimit Kombëtar në vitin e vështirë 1997, qytetarit aktiv e familjarit shembullor, Bashkim Fino, na ka tronditur të gjithëve këtë mëngjes”.

“Dhembje e madhe, që na ka lënë pa fjalë! Ngushëllimet më të ndjera, të prehet në paqe dhe përherë i paharruar në kujtimet tona”, tha Meta.
Ruçi: Iku një nga njerëzit më të mirë të Shqipërisë
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi shprehu sot një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të deputetit Bashkim Fino.
“Sot u nda nga jeta kolegu ynë, Bashkim Fino. Bashkimi humbi betejën për jetën duke na shkaktuar të gjithëve, familjes, kolegëve, miqve, një humbje të pazëvëndësueshme. Bashkim Fino ishte një ndër njerëzit më të mirë të Shqipërisë, politikan, kryetar bashkie, deputet dhe ministër ndër më të shquarit. Shërbeu me devotshmëri për disa legjislatura si deputet i qarkut Fier dhe fitoi besimin dhe dashurinë e të gjithëve. Bashkimi i doli zot atdheut si Kryeministër në një kohë të rëndë dhe shërbeu si shtetar dhe patriot gjatë periudhës më të vështirë të tranzicionit. Ishte vëllai, kolegu dhe miku ynë, buzëqeshja e të cilit nuk do të na ndahet përjetë. Lamtumirë, Bashkim, vëllai ynë i dashur dhe i paharruar!”, shkruan në mesazhin e ngushëllimit Kryetari i Kuvendit.
Braçe: Urtësuesi, pajtuesi i gjithkujt, pika themelore e ringritjes së këtij vendi
“Shpirti yt ndrittë shumë lart. Një Shqipëri e tërë të është mirënjohëse për shërbimin tënd në ditën më të zezë të saj. Vëllai im! Ne të dy e nisëm këtu, në Gjirokastrën tënde, një ditë maji të vitit 1995; ti si kryetari më i mirë i asaj bashkie ndonjëherë dhe unë si një socialist i ri, në takimin e socialistëve të rinj atje. Prej asokohe nuk u ndamë më. Bashkë u rritëm, bashkë jetuam, bashkë luftuam çdo betejë, bashkë fituam”, tha ai, ndërsa ndan një foto të atyre viteve.
“Ishe rreze drite në erresirën e marsit 1997, ishe shpresa e re në vendin e mbaruar po atë mars. Ti u bëre urtësuesi, pajtuesi i gjithkujt, pika themelore e ringritjes së këtij vendi. E mbaj me vete optimizmin tënd atë natë, fjalën tënde të parë për mua e unë për gazetën: Shpresë e re. Ti ja dole! Vendi u ringrit edhe prej teje, falë teje, mirësisë, dashurisë, optimizmit, pasionit, forcës së zemrës tënde të madhe. Të jam mirënjohës Bashkim, pa fund! E mban mend që ti me prezantove në Poliçaninj e zhuritur në Qershorin e 1997”, tha Braçe.

“A e mban mend sa gëzim solle me vete atje dhe gjithë rrugës për atje në një stafetë njerëzore që s’kish fund?! A i mban mend brohoritjet e njerëzve të zakonshëm si ti?! Aty u shenjua që të vijonim bashkë betejat, ti në Kuçovë e unë në Berat. Ti në Lushnje e unë në Divjakë. Nuk e di, por fati e ka sjellë që unë të eci në gjurmët e tua, ku ishe ti, punove ti, luftove ti, fitove ti, vijova unë! Është një jetë e tërë kështu, 24 vite! Tani jam në gjunjë, me lotët që mbysin fjalët; po do ringrihem edhe për ty! Kemi betejë për të bërë ende, në Lushnje e Divjakë. Do çojmë deri në fund punët që nise ti, do mbajmë çdo premtim tëndin për njerëzit atje, tani edhe si amaneti i Bashkimit. Aaaa po, do vijoj të luaj futboll Bashkim, edhe për ty! Ne të dy as aty nuk u ndamë, një pasion i madh që na bëri bashkë edhe si të kuq, në fusha e tribuna. Qemal Stafën kurrë nuk e mbushi kaq asnjë tjetër veç teje e Kombëtares së Shqipërisë”, tha Braçe.

“Kryeministri që zbriti në fushë në vitin e zi, dha gëzim edhe nga një fushë futbolli! Të qoftë i lehtë dheu në gjoks vëllai im! Rruga me ty ishte më e bukura rrugë që kam bërë ndonjëherë”, përfundon Braçe.

Nishani: Humbëm një person me vlera e parime

Ish-presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të deputetit socialist, Bashkim Fino.

Nishani shprehet se humbëm një person me vlera e parime njerëzore që donte të kontribuonte për shtetin.

“Ngushëllimet më të ndjera familjes, të afërmve dhe miqve të ish Kryeministrit Bashkim Fino! Pavarësisht pozicioneve dhe projekteve të ndryshme politike që i përkasim, vlera njerëzore dhe dimensioni i dëshirës për të kontribuar për shtetin, për vendin, për Shqipërinë tonë, janë parimet më sublime. Kur këto parime humbasin dikë, të gjithë ndihemi të pikëlluar. Pusho në paqe tashmë, Bashkim!”, shprehet Nishani.

Basha: Zë i rëndësishëm në funksion të stabilitetit politik dhe shoqëror të vendit

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Bashkim Finos.

“Me trishtim mësova lajmin për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit, ish-ministrit dhe ish-deputetit Bashkim Fino. Jam i bindur se kontributi i Bashkim Finos në politikën shqiptare do të vlerësohet gjithmonë si një zë i rëndësishëm në funksion të stabilitetit politik dhe shoqëror të vendit. I shpreh ngushellimet më të sinqerta familjes Fino dhe gjithë të dashurve të tij. U prehtë në paqe”, tha ai.

Xhaçka: I pazëvendësueshëm, simbol i mirësisë dhe kujdesit për njerëzit

Ministrja për Europën e Punët e Jashtme, Olta Xhaçka tha se  “ka disa njerëz, disa miq të mirë, që kur ikin lënë pas një boshllëk aq të madh, që nuk zëvendësohen e nuk ua zë dot kurrë dikush tjetër vendin që kishin, sepse ishin të papërsëritshëm”.

“I tillë ishte për mua Baçi, një mik i mirë, simbol i mirësisë e kujdesit për njerëzit, i fjalës dhe i humorit, që do të na mungojë aq shumë. U prehsh në paqe e qofsh i parajsës miku im! Mungesa jote është e pazëvendësueshme”, tha ajo.

Manastirliu: Drejtoi Shqipërinë në një prej momenteve më të vështira të historisë së 30 viteve të fundit

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu tha se “jam krenare që kam ndarë një copë udhë në politikë me njeriun, i cili drejtoi Shqipërinë në një prej momenteve më të vështira të historisë së 30 viteve të fundit”.

“E trishtuar nga lajmi i ndarjes nga jeta të mikut dhe kolegut, Bashkim Fino. Do të më mungojnë bisedat gjatë pushimeve në seancat e Kuvendit, ku nuk i kursente asnjëherë këshillat e mençura. Krenare që kam ndarë një copë udhë në politikë me njeriun, i cili drejtoi Shqipërinë në një prej momenteve më të vështira të historisë së 30 viteve të fundit. U prehsh në paqe, mik”, tha ajo.

Veliaj: Në një nga çastet më të vështira të vendit, ai u gjend aty, me urtësinë e tij

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se “shqiptarët nuk do ta harrojnë kurrë që, në një nga çastet më të vështira të vendit, ai u gjend aty, me urtësinë e tij”.

“Mëngjes fort i trishtë ky, pas ikjes së një burri babaxhan e të mirë, një socialist i çmuar, si Bashkim Fino. Shqiptarët nuk do ta harrojnë kurrë që, në një nga çastet më të vështira të vendit, ai u gjend aty, me urtësinë e tij! Prehu në paqe mik i dashur”, tha Veliaj.

Balla: Familja jonë e madhe socialiste humbi vëllain, kontribuesin, deputetin tonë, sa të veçantë aq edhe shumë të dashur
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, tha se “familja jonë e madhe socialiste humbi vëllain, kontribuesin, deputetin tonë, sa të veçantë aq edhe shumë të dashur”.
“Kryeministri i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar, kolegu e miku ynë i mirë Bashkim Fino u nda sot nga ne. Familja jonë e madhe socialiste humbi vëllain, kontribuesin, deputetin tonë, sa të veçantë aq edhe shumë të dashur. Na preve krahët o Bashkimi ynë i dashur! U prehsh në paqe! I paharruar do jesh gjithmonë”, tha ai.
Gjiknuri: Diti të marrë përsipër përgjegjësi edhe në momentet më të vështira në historinë e Shqipërisë
Deputeti i PS-së, Damian Gjiknuri shkruan se Fino ka marrë përsipër përgjegjësi edhe në momentet ndër më të vështirat në historinë e Shqipërisë postkomuniste.

“Lajm i trishtë ndarja nga jeta e mikut dhe kolegut Bashkim Fino. Një humbje e parakohshme që krijon një boshllëk të madh jo vetëm tek familja por edhe tek miqtë e shumtë dhe kolegët! Familja humbi njeriun e vet të dashur, miqtë humbën një burrë fisnik e me vlera të jashtëzakonshme! Kolegët humbën njeriun e përkushtuar që diti të marrë përsipër përgjegjësi edhe në momentet ndër më të vështirat në historinë e Shqipërisë postkomuniste, atë të trazirave të vitit famëkeq 1997, kur Bashkimi u kthye në simbol shprese si Kryeministër i qeverisë së Pajtimit Kombëtar”, shkruan Gjiknuri.

Kodheli: Lamtumirë shok i kohërave të vjetra e moderne

Deputetja e PS-së, Mimi Kodheli ka ndarë një foto të tyre së bashku, kur kanë qenë shokë klase në fakultet. “Ja ku jemi të dy, shokë të një klase fakulteti. Mbetëm deri sot të tillë, por jam e sigurt do takohemi sërish. Lamtumirë shok i kohërave të vjetra e moderne, mik i ditëve të mira e të vështira, Bashkim Fino. Do na mungosh të gjithëve, por më shumë Dianës së dashur. Lamtumirë e shihemi në kohë më të mira”, shkruan ajo.

Gjylameti: Fjalët e kanë të pamundur të ngushëllojnë dhimbjen
Deputetja e PS-së, Blerina Gjylameti tha se “fjalët e kanë të pamundur të ngushëllojnë dhimbjen”.
“Mëngjesi erdhi me një lajm të hidhur dhe shumë të trishtuar. Miku ynë, kolegu i nderuar Bashkim Fino u nda nga jeta. Mungojnë fjalët që e kanë të pamundur të ngushëllojnë dhimbjen. Do ta ndjejmë shumë mungesën tënde mik i mirë. Ngushëllime familjes, u prehsh në paqe”, tha ajo.
Felaj: Parlamenti nuk do të jetë njësoj pa mendjen e tij të hollë fine prej gjirokastriti
Deputetja Ermonela Felaj tha se “parlamenti nuk do të jetë njësoj i gjallë pa atë mendjen e tij të hollë fine prej gjirokastriti”.
“I paharruar Bashkim Fino! Parlamenti, Komisioni i Ligjeve , nuk do të jete më njësoj i gjallë, pa Bashkimin, pa atë mendjen e tij të holle fine prej gjirokastriti, pa relatimet e tij, gjithmonë në trajtë shënimesh të shkruara me të kuqe dhe pa fjalën e tij të guximshme.
Shume i trishte ky lajm i humbjes së tij… I paharruar koleg! Shpirti të pastë dritë”, tha ajo.
Bushati: Sot familja jonë humbi jo vetëm një socialist të shtrenjtë, por edhe një mik zemre për secilin prej nesh
Deputeti i PS-së, Ervin Bushati tha se “sot familja jonë humbi jo vetëm një socialist të shtrenjtë, por edhe një mik zemre për secilin prej nesh”.
“Lamtumirë Bashkim Fino! Sot familja jonë humbi jo vetëm një socialist të shtrenjtë, por edhe një mik zemre për secilin prej nesh. Do të të kujtojmë me krenari për gjithçka që bëre për Shqipërinë! Prehu në paqe miku ynë”, tha ai.
Mediu: Ngjarje e rëndë për të gjithë që e kanë njohur
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu tha se “ndarja nga jeta e Bashkim Finos është një ngjarje e rëndë për të gjithë, familjarët, kolegët dhe ata që e kanë njohur”.
“Ngushëllime familjes, bashkëshortes, djalit dhe vajzës. U prehsh në paqe”, tha ai.
Fraksion.com