AktualitetEkonomiTë fundit

Nisin fluturimet direkte Emiratet e Bashkuara Arabe-Shqipëri

Kanë nisur ditën e sotme fluturimet direkte Emiratet e Bashkuara Arabe-Shqipëri.

Kompania “flydubai” do të kryejë fluturimet dy herë në javë për në Tiranë duke u bërë linja e parë ajrore me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe që ofron fluturime direkte në këtë itinerar.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi deklaroi sot se vendosja e kësaj linje pritet të ndikojë në rritjen e numrit të turistëve dhe uljen e kostos së udhëtimit për këto vende.

Nga aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza”, ku dhe u zhvillua një ceremoni me rastin e fluturimit të parë të kësaj kompanie në Shqipëri, ministri Klosi e konsideroi një ditë shumë të rëndësishme dhe një kapitull të ri për aeroportin shqiptar në përgjithësi, dhe për fluturimet shqiptare nga Dubai dhe vendet e largëta.

“Është një ngjarje shumë e rëndësishme për fluturimet shqiptare, pasi realisht këtë vit me daljen nga pandemia do të kemi nevojë për tregje të reja. Dubai përfaqëson një pikë shumë të rëndësishme të marrëdhënieve të turizmit shqiptar me botën aziatike dhe arabe dhe po ashtu do të kemi të gjitha mundësitë që nëpërmjet dy fluturimeve në javë, të kemi komunikim me turistët e një tregu shumë të rëndësishëm për ne”, tha Klosi.

Ai tha se duke parë edhe kërkesat e shumta që ka edhe nga komuniteti shqiptar për të lëvizur drejt Dubait pritet që të shtohet frekuenca e fluturimeve nga dy herë në javë në katër herë në javë në muajt e verës dhe të vjeshtës.

“Viti 2021 do të shënojë një vit shumë të rëndësishëm për turizmin shqiptar, rihapja e turizmit është një objektiv ynë madhor. Fushata e vaksinimit do të shërbejë që i gjithë sistemi i mikpritjes së turizmit shqiptar të jetë i vaksinuar dhe kjo është një nga kërkesat kryesore për operatorët, të cilët operojnë nga vendet e long call, thirrjet e largëta, të cilët tashmë e kanë Shqipërinë si destinacion. Ne na del si detyrë që shumë shpejt të fillojmë komunikimin me kompanitë e operatorëve turistikë, të cilët tashmë shfrytëzojnë infrastrukturën e re të ndërtuar në Shqipëri. Viti 2021 do të jetë një vit shprese për sektorin e e turizmit shqiptar dhe ne shpresojmë shumë që t’ia dalim që të realizojmë objektivin tonë madhor 10 milionë turistë në vit në Shqipëri, që është një objektiv krejtësisht i realizueshëm, natyrisht duke shtuar shumë këtë infrastrukturë, duke ofruar investimet në marrëdhëniet që kemi ne me operatorët turistikë me vendet fqinje, dhe duke forcuar shumë lidhjet me rajonin”, deklaroi Klosi.

Ai tha se “është një ngjarje e jashtëzakonshme ky fluturim i parë drejt Tiranës nga Dubai, pasi do të vazhdojmë gjatë gjithë sezonit turistik që të mbajmë marrëdhënie shumë të mira me kompanitë operatore dhe natyrisht me të gjithë ata që duan të zhvillojnë turizmin në Shqipëri”.

Në promovimin për vendin tonë, kompania “flydubai” shprehet se, “Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, u ofron vizitorëve një gamë të gjerë të trashëgimisë dhe pamjeve kulturore, duke përfshirë disa muze. Për më tepër, Shqipëria është e njohur për kështjellat dhe vendet e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Parqet e tij natyrore dhe malet, lumenjtë dhe liqenet, dhe ujërat termale tërheqin vizitorët që kërkojnë aktivitete dhe aventura në natyrë. “flydubai” ofron shërbime të përshtatshme dhe të besueshme të udhëtimit. Pasagjerët do të kenë mundësinë të provojnë klasin e biznesit duke shijuar hapësirë dhe privatësi në kabinë, një vend të gjerë, të rehatshëm, argëtim gjatë fluturimit me filmat më të fundit dhe shfaqjet TV të disponueshme për të parë dhe një sërë opsionesh ngrënieje. Pasagjerët gjithashtu do të përfitojnë nga një shërbim i përparësisë së check-in në Terminalin 3, Dubai International”.

“Përvoja e pasagjerëve të “flydubai” është ridizenjuar për të mundësuar udhëtime në një mjedis të sigurt që minimizon kontaktin e ekuipazhit dhe pasagjerëve dhe u ofron udhëtarëve besim në çdo hap të udhëtimit të tyre. Kompania ajrore kohët e fundit ka prezantuar siguri në udhëtime me shumë rreziqe, duke përfshirë dhe zbatimin e protokolleve COVID-19 për t’u ofruar pasagjerëve qetësi më të madhe gjatë udhëtimit”, thekson kompania.

Tarifat dhe orari i fluturimeve

Fluturimet nga Terminali 3, Dubai International (DXB) për në aeroportin ndërkombëtar të Tiranës (TIA) do të operojnë të Enjten dhe të Dielën dhe shërbimi fillon nga 28 mars.

Tarifat e Kthimit të Klasit të Biznesit nga DXB në TIA fillojnë nga 8,000 AED dhe Tarifat e Klasës Ekonomike fillojnë nga 2,000 AED.

Tarifat e Klasës së Biznesit të Kthimit nga TIA në DXB fillojnë nga 1,800 EUR dhe Tarifat e Klasit Ekonomik fillojnë nga 420 EUR.

 

Fraksion.com