AktualitetBota+Të fundit

Presidenti Biden thotë se do të rikandidojë në vitin 2024,

Presidenti Joe Biden tha të enjten se parashikon të kandidojë përsëri në vitin 2024 dhe mbrojti politikën e tij të strehimit për fëmijët e pashoqëruar që kalojnë kufirin e Shteteve të Bashkuara nga Meksika në konferencën e tij të parë spër shtyp që kur mori detyrën.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për më shumë se një orë, zoti Biden dukej i përgatitur mirë, lexonte herë pas here nga letrat me shënime dhe merrte pyetje me qetësi, një kontrast i mprehtë nga konferencat e shtypit, me stil shpesh luftarake të mbajtura nga paraardhësi i tij republikan, Donald Trump.

Zoti Biden paraqiti një objektiv të ri për administrimin e 200 milionë vaksinave kundër COVID-19 në Shtetet e Bashkuara në 100 ditët e tij të para në detyrë.

Ai paralajmëroi Korenë e Veriut për pasoja si kundërpërgjigje e dy raketave balistike që hodhi të enjten dhe tha se po konsultohej me aleatët për hapat e mëtejshme.

Presidenti Biden u përpoq gjithashtu të ulte tonin e retorikës me Kinën pasi ndihmësit e tij të lartë paten shkëmbime të nxehta me homologët kinezë në Alaskë në fillim të këtij muaji.

Në moshën 78 vjeç, shumë analistë politikë besojnë se zoti Biden mund të vendosë që të mos shërbejë më shumë se një mandat. Por i pyetur nëse kishte në plan të kandidonte për rizgjedhje, ai tha “po” dhe se do ta kishte përsëri nënpresidenten Kamala Harris si kandidate për rizgjedhje në post.

“Përgjigja ime është po, unë planifikoj të kandidoj për rizgjedhje. Kjo është pritshmëria ime,” tha ai.

Më 20 janar, zoti Biden u bë presidenti më i moshuar amerikan që bënte betimin.

I përballur me vështirësi për të përballuar fluksin në rritje në pikat kufitare, zoti Biden u tha gazetarëve se asnjë administratë e mëparshme nuk kishte refuzuar kujdesin dhe strehimin për fëmijët që vinin nga Meksika – përveç asaj të ish-presidentit Trump.

“As unë nuk do ta bëj një gjë të tillë,” tha zoti Biden, duke vënë në dukje se ai kishte zgjedhur zonjën Harris për të drejtuar përpjekjet diplomatike me Meksikën, Hondurasin, Guatemalën dhe El Salvadorin që synojnë ndaljen e fluksit të migrimit.

Duke u shfaqur në Sallën Lindore të Shtëpisë së Bardhë, presidenti Biden tha se qëllimi i tij fillestar për të administruar 100 milion doza vaksinash në 100 ditët e tij të para në detyrë u arrit javën e kaluar, 42 ditë para afatit, dhe se ai tani do të dyfishonte objektivin.

“Unë e di që është ambicioz, dyfishi i objektivit tonë fillestar, por asnjë vend tjetër në botë as nuk i është afruar këtij synimi”, tha presidenti demokrat.

Biden u tërhoq nga afati i 1 majit për të hequr trupat amerikane nga Afganistani pasi zoti Trump u përpoq, por nuk arriti t’i nxirrte para se të largohej nga zyra.

“Do të jetë e vështirë të përmbushet afati i 1 majit,” tha zoti Biden. Por ai shtoi, “Ne nuk do të qëndrojmë edhe shumë gjatë” në Afganistan, vendi i luftës më të gjatë të Amerikës. Ai tha se nuk mendonte që trupat do të ishin atje vitin e ardhshëm.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje në lidhje me raketat e Koresë së Veriut, të cilat kanë alarmuar aleatët e SHBA-së, Japoninë dhe Korenë e Jugut, ai tha se “nëse ata vendosin të përshkallëzojnë, ne do të përgjigjemi në përputhje me rrethanat”.

Ai tha se ishte i përgatitur për “një formë të diplomacisë” me Korenë e Veriut “por kjo duhet të kushtëzohet nga rezultati përfundimtar i denuklearizimit.”

Pas bisedimeve të vështira në Alaskë me Kinën, zoti Biden tha se ai nuk po kërkonte një konfrontim me Kinën por do të këmbëngulte që Presidenti kinez Xi Jinping t’i përmbahej normave ndërkombëtare të tregtisë.

“Ajo që i kam thënë personalisht në disa raste është se ne nuk po kërkojmë konfrontim, megjithëse e dimë se do të ketë konkurrencë të fortë por ne do të insistojmë që Kina të luajë sipas rregullave ndërkombëtare të konkurrencës së ndershme, praktikave të ndershme, tregtisë së ndershme “, tha ai.

Zoti Biden u bëri thirrje republikanëve në kongresin amerikan ta ndihmonin atë të ecë përpara me axhendën e tij ndërsa merret me çështje si kontrolli i armëve, ndryshimi i klimës dhe reforma e imigracionit.

Ai tha se beson se Senati amerikan i kontrolluar nga demokratët duhet ta bëjë më të vështirë për republikanët të përdorin një manovër parlamentare bllokuese të quajtur “filibuster” që kërkon 60 vota për të çuar përpara pjesën më të madhe të legjislacionit në dhomën me 100 vende, duke thënë se po abuzohet.

Zoti Biden u pyet me këmbëngulje për politikën e tij të migracionit përgjatë kufirit të Shteteve të Bashkuara me Meksikën.

Presidenti Biden tha se rritja e fluksit të migrantëve ishte ciklike.

“Kjo ndodh çdo vit. Ka një rritje të konsiderueshme në numrin e njerëzve që vijnë në kufi në muajt e dimrit,” tha ai. “Ndodh çdo vit.”

Ai tha se shumë migrantë po largoheshin nga problemet në vendet e tyre dhe fajësoi zotin Trump, për shpërbërjen e pjesëve të sistemit të imigracionit në SHBA.

Shumica e paraardhësve të zotit Biden kishin mbajtur konferencën e tyre të parë për shtyp në dy muajt e tyre të parë në detyrë, por presidenti aktual demokrat nuk ka marrë shumë pyetje deri tani./VOA

 

Fraksion.com