Lumi po merr urën që kushtoi 1 mln euro; Inxhinieri: Ndërhyrje emergjente
Në muajin dhjetor të vitit 2017, Ura e Drojës që lidh Fushë Krujën me zonën e Kurbinit, u shkatërrua.
Në vitin 2018, një biznes privat akordoi 1 milionë euro për ta rindërtuar. Projekti dhe tenderi u zhvillua nga Autoriteti Rrugor Shqiptar. Por, vetëm 2 vite e gjysëm pas rindërtimit, urën po e merr lumi i Drojës. Ekspertët ngrenë alarmin se, nëse nuk ndërhyhet, ura do të shkatërrohet plotësisht.
Emisioni “Fiks Fare” vëzhgoi pikërisht këto dëmtime, ku gjendja ishte shumë alarmante. Shirat dhe prurjet e lumit Drojë të para disa javëve, kanë sjellë shkatërrimin e barrierave mbrojtëse të këtij lumi. Në pamje duket mjaft qartë se njëra këmbë e kësaj ure, nga ana e Fushë Krujës, ka filluar të gërryhet dhe rrezikon të shëmbet. Të gjitha barrierat, me gurë dhe beton, i ka marrë rrjedha e lumit, duke rrezikuar që edhe njëra këmbë të fundoset plotësisht.
Projekti dhe tenderi i rindërtimit është bërë në muajt e parë të vitit 2018, ndërsa ndërtimi ka mbaruar në mes të vitit 2018. Madje, në atë kohë, ura u inaugurua, teksa ishte me të gjitha standartet. Pas dëmtimeve, Fiks Fare i kërkoi informacion Autoritetit Rrugor Shqiptar, se cila firmë bëri projektin, kush e fitoi tenderin, apo edhe kush ishte firma mbikëqyrëse. “Përsa i përket objektit me kontratë “ndërtim Ura e Drojës” ju bëjmë me dije se vlera e kontratës së punimeve është 975.000 euro. Sipërmarrës punimesh kompania ‘R&T’, autori dhe mbikëqyrësi i projektit kompania ‘Infra Trans Project’” thotë Autoriteti Rrugor Shqiptar.
“Fiks Fare” i kërkoi ARRSH-së nëse janë apo jo në dijeni të problemeve aktuale, ndërsa na ktheu përgjigje se “si pasojë e shembjes së tre mureve / pendave në anën perëndimore të urës, nga rreshjet e shumta të shiut në mesin e tetorit të kaluar është gërryer tabani pranë këmbës dhe ballit në anën jugore të urës, janë zbuluar kokat e pilotave të këmbës dhe të pjesës ku mbështetet balli i urës”.
Sipas Autoritetit, dëmtimet kanë ardhur edhe si rezultat i ndryshimit të regjimit hidraulik të rrjedhës, i cili është përqendruar me sasinë maksimale të prurjeve në hapësirën e parë të urës. Më tej pohojnë se duke rrjedhur në këtë hapësirë, ujërat kanë goditur me forcë ballin anësor duke shkaktuar dëmtimin e tij. Në fund, Autoriteti përcakton se “pa sjellë problem në qendrueshmërinë e urës”.
ARRSH thotë se shoqëria “Antea Cement” ka paraqitur kërkesën për bashkëpunim për financimin e projektit dhe të ndërtimit të Urës së Drojës. “Gjatë përmbytjeve të ndodhura në dimrin e vitit 2017-2018 Ura e Drojës është dëmtuar në mënyrë të pariparueshme, për të gjithë komunitetin e zonës përreth si dhe për vetë shoqërinë që kryen aktivitetin e saj të prodhimit dhe të tregtimit të çimentos në këtë zonë është krijuar një vështirësi e madhe komunikimi. Kjo kompani ka shprehur interesin për financimin e projektit dhe implementimin në terren të saj, nëpërmjet palëve të treta. Në këto kushte, projekti i Urës së Drojës është hartuar nga një palë e tretë e licensuar në fushën e projektimit” vijon Autoriteti.
Fiks Fare i kërkoi informacion shoqërisë “Antea Cement”, nëse e ka hartuar apo jo ajo projektin e urës që po shkatërrohet. Në këtë përgjigje, firma thotë se ajo vetëm ka financuar. “ANTEA Cement, në vitin 2018 sponsorizoi rindërtimin e Urës së Drojës, e cila ishte dëmtuar rëndë gjatë përmbytjeve të dimrit 2017-2018. Sponsorizimi është në vlerën prej 1 milionë Euro, dhe u krye në marrëveshje me Autoritetin Rrugor Shqiptar, si autoriteti përkatës për zbatimin e këtij projekti. Ura i shërben zonës dhe përdoret nga firma. ANTEA Cement është një kompani e prodhimit të çimentos dhe jo kompani ndërtimi” thuhet në përgjigje.
Pra, shoqëria pohon se projekti 128.8 milionë lekë të rinj është hartuar dhe ndërtuar nga vetë ARRSH. Kjo e fundit, në përgjigje pohon se shoqëria “Infra Trans Project” ishte mbikëqyrësja e këtij projekti. Fiks Fare bisedoi me inxhinierin e kësaj firme, z.Faruk Kaba, se ku qëndronte problemi i dëmtimeve, në projektim apo ndërtim. Inxhinieri thotë se dëmtimet kanë ardhur si pasojë e shfrytëzimit të lumit Droje për inerte. Ai pohon se, nëse ARRSH nuk ndërhyn, atëherë kjo vepër do të shkatërrohet sërish.
Fiksi tentoi të komunikonte edhe me kompaninë “R&T”, e cila ishte sipërmarrësja e punimeve. Punonjësi i kësaj kompanie pohoi se, do të kontaktonte me departamentet përkatës dhe do kthenin një përgjigje. Por, deri në transmetimin e këtij investigimi, kjo firmë nuk ktheu përgjigje.
Fraksion.com