AktualitetPolitikëTë fundit

Basha, takime në Tiranë: Asnjë i ri nuk do të shohë më largimin si shpresa e vetme

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar ditën e sotme takime me qytetarë dhe biznese në njësinë 8, në Tiranë.

Ai dëgjoi nga afër problematikat e qytetarëve të cilat janë shtuar për shkak të pandemisë dhe harresës së qeverisë, njoftoi PD.

Rënia e konsumit, largimi i njerëzve, pamundësia ekonomike dhe problemet e ish-pronarëve ishin shqetësimet që u drejtuan nga qytetarët.

Basha tha se po përballet me të njëjtat ankesa në çdo takim ku u shpreh se vetëm ndryshimi që do vij më 25 prill është zgjidhja e çdo problemi. Sipas tij e vetmja nevojë që kanë qytetarët shqiptarë sot është një qeveri që mendon për ta, pasi në 8 vitet e fundit ka qenë inekzistente.

“Kjo është një betejë që do ta përcaktojë rinia shqiptare, siç ka përcaktuar të gjitha ndryshimet e mëdha. Dhe kjo është betejë për ndryshim, nuk është thjesht betejë për zëvendësim, është betejë për ndryshim. Nga ky ndryshim do të varet rruga europiane e Shqipërisë. Pra nga ky ndryshim do të varet që të rinjtë shqiptarë të kenë mundësi europiane për arsimim, që do të thotë universitete në Shqipëri me cilësi europiane, do të thotë edhe programe shkëmbimi ku më të mirët të kenë mundësi të shkojnë në universitete europiane të mësojnë aty, të krijojnë lidhje aty, të krijojnë mundësi për praktika pune. E vetmja gjë që keni nevojë për të hedhur këtë hap përfundimtar për të qenë si një europian është një qeveri që mendon për ju dhe ua bën më të lehtë, më të mundur arsimimin cilësor dhe punësimin. Dhe ky është misioni kryesor i qeverisë që do të dalë pas zgjedhjeve të 25 prillit. Mesazhi kryesor që kam për ju dhe që dua ta shpërndajmë kudo është që asnjë i ri nuk do të mbetet mënjanë, asnjë i ri nuk do të shohë më largimin si shpresa e vetme se Shqipëria i ka mundësitë e jashtëzakonshme t’ju akomodojë, t’ju bëjë krenarë, siç e bëni ju Shqipërinë krenare”, tha ai.

“Në sytë e tyre duket qartë shpresa  dhe gëzimi për ndryshimin që po vjen, por gjendja është shumë e vështirë. E vështirë për ta dhe kuptohet që është e vështirë për ta sepse është e vështirë për njerëzit. Konsumi ka rënë, bolierët janë në minimum, aftësia e familjeve për të siguruar bukën e gojës dhe ushqimet bazë kurrë nuk ka qenë më e dobët dhe kjo është një nga arsyet kryesore pse ndryshimi është urgjent, sepse një vend me pasuri të jashtëzakonshme, një qytet me një pasuri dhe një bujari legjendare nuk mund të pranojë që për shkak të keqqeverisjes të shkojnë me lista dhe me varfëri, si kurrë më parë në 2021. Ka 8 vite që taksat vetëm rriten, ka 8 vite që faturat vetëm rriten, ka 8 vite që qytetari nuk dëgjohet, në veçanti qytetari i Tiranës nuk dëgjohet për asgjë. Për pronarët dhe me pronarët, ne kemi hartuar një plan që fillon me shfuqizimin e ligjit të shpronësimit të dytë. Ai është ligji i shpronësimit të dytë”, tha Basha.

 

Fraksion.com