41 orë zjarr në qendrën tregtare: Ende asnjë gjurmë nga 33-vjeçari i zhdukur
Vijon të jetë aktiv prej më shumë se 41 orësh zjarri që ra në magazinën e një qendre tregtare.
Ende nuk ka asnjë gjurmë nga Arjan Sala, roja i magazinës te qendra tregtare “Casa Italia”, e cila prej më shumë se 2 ditësh është “nën pushtetin” e flakëve!
Për shuarjen e saj, është thyer soleta, për të bërë të mundur ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse nga brenda. Aktualisht zjarri është shuar, e ndërsa po vijojnë kërkimet për gjetjen e 33-vjeçarit. Në pjesën që zjarrfikësit kanë depërtuar deri më tani, nga kontrolli nuk ka rezultuar të jenë gjendur gjurmë të rojes.
Referuar dëshmisë së familjarëve, Arjan Sala ka shpëtuar rreth 20 punonjës të tjerë, e vetë është futur për të shuar zjarrin, por fatkeqësisht nga aty nuk ka mundur që të dalë.
Në operacionin për shuarjen e flakëve u angazhuar të gjitha forcat zjarrfikëse të Bashkisë së Tiranës, nga Kamza, Rinasi, të Ushtrisë si edhe operacionet e kërkim shpëtimit të minierave.
Familjarët kanë akuzuar Zjarrfikësit për të cilët pretendojnë se kanë mbërritur me vonesë dhe sikur kjo të mos mjaftonte nuk kanë pasur pajisjet e nevojshme për t’u ardhur në ndihmë djalit të tyre.
Ambienti ku ka rënë zjarri ku ka qenë i mbushur plot me materiale, me rroba, këpucë dyshekë, çka kanë ndikuar në shkaktimin e një zjarri të përmasave kaq të mëdha, i cili vijon prej shumë ditësh. Paraprakisht dyshohet se shkak ka qenë një shkëndijë elektrike, por edhe kjo pistë akoma është e dyshimeve fillestare dhe do jetë policia ajo që do hedh dritë rreth asaj çfarë ka ndodhur në magazinë.
Fraksion.com