AktualitetTë fundit

Zjarri te Casa Italia; Pas 16 orësh roja që u bllokua brenda magazinës ende nuk është gjetur

Kur kanë kaluar më shumë se 16 orë, nga zjarri që përfshiu një magazinë në qendrën tregtare ‘Casa Italias’, përgjegjësi i sigurisë Arjan Sala që mbeti i bllokuar brenda magazinës, ende nuk është gjetur.

Që prej orësh 16:00 të një dite më parë, dyshohet se trupi i Arjan Salës ndodhet brenda në magazinë, por për shkak të shtëllungave të dendura të tymit, është e vështirë që të ndërhyhet.

30-vjeçari kishte shkuar aty për të verifikuar situatën dhe për të evakuar pjesën tjetër të punonjësve.

Pasi kanë dalë të gjithë ai ka mbetur në ambjentet e asaj dhome që shërbente kryesisht për magazinimin e atleteve që tregtoheshin në dyqanet e qendrës tregtare.

Roja e objektit, nuk u përgjigj në telefon familjarëve të tyre dhe ishte në punë në momentin e zjarrit. Xhaxhai i tij tha me lot në sy në një prononcim për mediat një natë më parë, se Sala ka shpëtuar 20 persona, ndërkohë që vetë nuk ia arriti të dilte. Ai tha më tej se tashmë shpresat i kishte tek zoti, pasi për të nuk kishte asnjë shenje jete.

Ambienti ku ka rënë zjarri ku ka qenë i mbushur plot me materiale, me rroba e dyshekë. Paraprakisht dyshohet se shkak ka qenë një shkëndijë elektrike, por edhe kjo pistë akoma është e dyshimeve fillestare.

“Me datë 24.03.2021, rreth orës 16:40, tek “Casa Italia” ka rënë zjarr në një magazinë. Shërbimet e zjarrfikëses ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për fikjen e zjarrit”, njoftoi policia.

 

Fraksion.com