“S’ka tjetër”; Rama: Në Stamboll për shumë vaksina. O ia dalim o ia dalim
Kryeministri Edi Rama ndodhet në Turqi për të përfunduar marrëveshjen me distributorin turk për marrjen e vaksinave kineze anticovid.
Me anë të një postimi në Twitter Rama shkruan se se do ia dalin në këtë betejë me pandeminë dhe nuk ka asnjë rrugë tjetër. Në këtë postim Rama thumbon edhe opozitën duke thënë se në qoftë se nuk ia del qeveria, askush tjetër nuk ia del dot.
“Në Stamboll për shumë vaksina. O ia dalim o ia dalim, s’ka tjetër dhe po s’ia dolëm ne askush tjetër nuk ka si ia del dot”!- shkruan Rama.
Qeveria ka bërë një marrëveshje me një kompani turke për sjelljen e vaksinave kineze. Kjo do bëjë që javën tjetër të fillojë vaksinimi masiv. Të dhënat e marrëveshjes me kompaninë nuk bëhet të ditura pasi janë konsideruar si sekret tregtar.
Para pak ditësh Kuvendi miratoi me ligj përdorimin e vaksinave Sputnik V dhe vaksinave kineze.
Një ditë më parë, Kryeministri Edi Rama tha se objektivi kryesor në këtë situatë është nisja e vaksinimit masiv për të moshuarit.
“E kam në majë të gjuhës, por do ta mbaj edhe pak fare, për gjyshërit dhe gjyshet, të cilat janë pika e dobët e çdo familje nga pikëpamja e dashurisë dhe përkujdesit, por edhe nga pikëpamja e shëndetit janë pika e dobët. Fillimi i vaksinimit masiv për gjyshërit dhe gjyshet është fiksimi, ambicia dhe gjithë qëllimi i vajtjes time në punë gjatë gjithë kësaj periudhe, me ndihmën e Zotit, të miqëve dhe këmbënglujen tonë, besoj që lajmi i mirë do të dalë nga goja më në fund, edhe pak fare”, nënvizoi kryeministri Edi Rama.
Fraksion.com