PD nisi zyrtarisht fushatën elektorale me prani të mbështetësve përkundër masave antikovid
Partia Demokratike ka nisur zyrtarisht fushatën elektorale në praninë e mbështetësve, duke mos respektuar masat anti-COVID të lëna në fuqi edhe një ditë më parë nga Komiteti Teknik i Ekspertëve.
Partia Demokratike çeli fushatën elektorale në sheshin “Nënë Tereza”.
Kandidatja e PD në Elbasan, Flutura Açka hapi sot tubimin e çeljes së fushatës së Partisë Demokratike.
“Nuk mbahem dot, nis më merret goja kur flas për gjëra të dashura dhe një nga gjërat e dashura është fakti që jam këtu sot”, tha ajo.
“Mjekë, inxhinierë, profesionistë ikën, sepse nuk kishin mundësi. Do t’ia dalim t’i kthejmë vetëm duke ndrequr demokracinë. Ose të ndreqim demokracinë tonë, ose të shkojmë në diktaturë. Të fillojmë ta ndreqim që sonte demokracinë”, u shpreh Açka.
“Do të ndjej turp të jem e pasur në një vend të varfër”, tha Açka.
Floriana Garo zëdhënëse e fushatës së PD-së gjatë fjalës së saj u shpreh se, “pasi u takova disa herë me Lulzim Bashën, e kisha të qartë se ai është udhëheqësi që i duhet Shqipërisë. I vendosur, karizmatik, me përvojë dhe në të njëjtën kohë edhe një njeri i dashur dhe i afërt me njerëzit”.
“Një person i cili është i përkushtuar ndaj Shqipërisë tonë të bukur dhe është i gatshёm pёr tё sjellё ndryshimin që mezi e presim të gjithë. Muajt e fundit e kam parë duke punuar deri në orët e vona të natës. Ai është konsultuar me shumë ekspertë për të sjellë më shumë plane pune, të detajuara dhe që do të përmirësojnë jetën e të gjithë neve në Shqipëri”, tha Garo.
“Qytetarët shqiptarë kanë nevojë për ndryshim. Vendi ynë ka nevojë për ndryshim. I vetmi person që mund ta sjellë këtë ndryshim, i vetmi person që mund të formojë një qeveri që do të punojë për qytetarët, në vend të një qeverie që punon vetëm për vete e saj, ai është Lulzim Basha”, përfundoi Garo.
Fraksion.com