Partneriteti i Evropës me SHBA ka një çmim
Nga Barbara Wesel
Antony Blinken i premton NATO-s një marrëdhënie të re me Amerikën. Kjo gjithashtu rezulton në detyrime të reja me kosto të lartë, siç mund të shihet në shembullin e Kinës.
Nëse jemi plotësisht të sinqertë koha e administrimit kaotik të Donald Trumpit ishte në një farë mënyre mjaft e rehatshme. Heqja dorë nga partneriteti në organizatat ndërkombëtare dhe largimi i tij nga NATO i liroi evropianët nga detyra e tyre për të punuar për bashkëpunim politik dhe mbrojtje të përbashkët. Dhe meqenëse fajtori ishte i qartë, të tjerët mund të rehatoheshin e relaksoheshin duke ëndërruar për autonomi strategjike.
Tani Sekretari i Shtetit i SHBA po e bën të qartë se Uashingtoni dëshiron një fillim të ri. Ai premton një trajtim korrekt të partnerëve nëse ata mbajnë pjesën e tyre të barrës. Shpresojmë se sidomos në Gjermani askush nuk kishte kultivuar iluzionin se debati i mundimshëm për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes kishte mbaruar. Përkundrazi – kundrejt kësaj qeverie amerikane do të jetë shumë më e vështirë që të justifikohet ritmi i ngadaltë në Berlin.
Le të flasim për Kinën
“Disa nga partnerët tanë po lëvizin në drejtimin e gabuar”, thotë sekretari amerikan i shtetit. Me këtë ai do të thotë Rusia, dhe shumë më tepër Kina. Marrëdhëniet miqësore mes Pekinit dhe Uashingtonit duket se për momentin janë ndërprerë. Por Blinken pranon se për disa evropianë marrëdhënia me Kinën është komplekse dhe ajo nuk do të jetë gjithmonë në përputhje me linjën që ndjek SHBA-ja.
Sidoqoftë ai rekomandon që kërcënimit nga politikat e reja agresive të Kinës është mirë t’i përgjigjemi së bashku. Ne duhet të mbyllim boshllëqet e teknologjisë dhe infrastrukturës që Kina po përdor për të na bërë presion. Ne të gjithë e dimë listën e produkteve strategjike, nga G5 deri tek prodhimi i baterive dhe çipeve, të cilat Pekini mund t’i përdorë si levë politike kundrejt Evropës.
Konflikti tashmë ka filluar
Në fillim të javës BE-ja e pa se çfarë mund të kushtojë t’i rezistosh Presidentit Xi. Sanksionet kundër disa kuadrove të partisë nga Xinjiangu për përndjekjen e Ujgurëve ishin në thelb mjaft diplomatike dhe të moderuara. Reagimi nga Pekini, nga ana tjetër, ishte tejet i tepruar. Mosmarrëveshja tani mund t’i kushtojë BE-së marrëveshjen e investimeve që nënshkroi në dhjetor.
Vetëm nëse evropianët formojnë një front të përbashkët me SHBA-të, dëmi në ekonominë kineze mund të jetë aq i madh sa që Kina mund të detyrohet praktikisht për kompromise.
Mbrojtja dhe politika janë të pandashme
Ajo që rrjedh gjithashtu nga linja e re e qeverisë amerikane: NATO duhet të bëhet më politike. Për këtë bëri thirrje së fundmi edhe Presidenti Macron. Por kjo nuk është aq e lehtë, sepse kërkon një ndryshim rrënjësor në jetën e përditshme të aleancës. Në vend të organizimit të manovrave të trupave, shtetet anëtare do të duhet të zhvillojnë strategji, se si mund t’u kundërvihen dëshirave ruse për ekspansion dhe planeve ruse të armatimit.
Antony Blinken po e ve përsëri mbrojtjen e vlerave demokratike në rendin e ditës. Duke i dhënë kështu fund dashurisë së Donald Trumpit për diktatorët e vegjël dhe të mëdhenj të kësaj bote. Ne duhet të ngrihemi në këmbë kur demokracia dhe të drejtat e njeriut minohen, thuhet tani. Evropianët mund të fillojnë menjëherë me këtë në shtëpinë e tyre duke marrë masa ndaj disa nga anëtarëve të rinj dhe duke vazhduar më pas me partnerin e NATO-s, Turqinë.
Nga njëra anë qeveritë e Evropës do të lehtësohen për rikthimin e SHBA në qëndrimet e përbashkëta. Nga ana tjetër ato duhet ta kuptojnë që vitet e ardhshme nuk do të jenë domosdoshmërisht të qeta dhe se ky partneritet mund të sjellë me vete edhe një çmim të ndjeshëm politik./DW
Fraksion.com