AktualitetBota+Të fundit

Biden: Harris do të drejtojë përpjekjet për trajtimin e çështjes së imigrantëve në kufirin jugor

Duke ia deleguar këtë çështje nënpresidentes Harris, Presidenti Biden po përpiqet të përsërisë një dinamikë të kohës kur ai shërbeu si nënpresident në administratën e Presidentit Barack Obama. Zoti Obama ia dha zotit Biden në fillim të mandatit të tij të parë detyrën për të udhëhequr përpjekjen e Shtëpisë së Bardhë për të tërhequr trupat amerikane nga Iraku.

“Kur flet ajo, ajo flet në emrin tim”, tha Presidenti Biden, duke vënë në dukje punën e zonjës Harris në të kaluarën si prokurore e përgjithshme e Kalifornisë, që e bën atë personin e duhur për të udhëhequr përgjigjen e administratës ndaj situatës në kufirin jugor.

Presidenti Biden shpreson t’u tregojë amerikanëve se po e merr seriozisht situatën në kufi pasi ai u ndesh me kritika të ashpra nga republikanët në lidhje me rritjen e fluksit të imigrantëve që kur ai mori detyrën në janar. Sfida gjithnjë e më madhe humanitare dhe politike në kufirin SHBA-Meksikë kërcënon të lërë në hije axhendën ambicioze legjislative të administratës së tij.

Por detyra e profilit të lartë për zonjën Harris, e cila garoi për të marrë emërimin e partisë demokrate për të kandiduar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 dhe pritet të kandidojë përsëri në të ardhmen, mund të jetë politikisht e tensionuar.

Për këtë arsye, Presidenti Biden tha me shaka se ai po e ngarkonte atë me një “punë të vështirë”.

“Nuk është e nevojshme të thuhet, por kjo nuk do të jetë një punë e lehtë”, tha zonja Harris në lidhje me detyrën e saj të re. “Por është një punë e rëndësishme”, shtoi ajo.

Nënpresidenjta Harris është ngarkuar me detyrën e mbikëqyrjes së përpjekjeve diplomatike për t’u marrë me çështjet që nxisin migrimin në vendet si El Salvadori, Guatemala dhe Hondurasi, si dhe t’i inkurajojë ato për të forcuar zbatimin e ligjit në kufijtë e tyre, thanë zyrtarët e administratës.

Më gjerësisht, megjithatë, ajo ka për detyrë të zbatojë një strategji afatgjatë që do të trajtonte shkaqet rrënjësore të migrimit nga ato vende.

Ajo do të punojë ngushtë me Sekretarin e Shtetit Antony Blinken, administratoren e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Powers, dhe zotin Ricardo Z Riciga, i dërguari special i Shteteve të Bashkura për El Salvadorin, Guatemalën dhe Hondurasin.

Presidenti Biden e bëri njoftimin ndërsa një delegacion i zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë dhe anëtarëve të Kongresit po udhëtonte drejt kufirit jugor të mërkurën për të vizituar një objekt në Carrizo Springs të Teksasit, që po përdoret për të strehuar fëmijë imigrantë./VOA

 

Fraksion.com