AktualitetPolitikëTë fundit

Basha: Bashkohuni në përpjekjet për ndryshim, misioni ynë futja e Shqipërisë në BE

Kryetari i PD, Lulzim Basha në hapjen e fushatës elektorale deklaroi se janë edhe 31 ditë. Vetëm 31 ditë për të nisur së bashku rrugën e ndryshimit të Shqipërisë, rrugën e zhvillimit, të punësimit, të mirëqenies dhe të integrimit të saj në familjen tonë europiane”.

“Jemi këtu të gjithë bashkë dhe jam mes jush sepse ju keni marrë një vendim shumë të rëndësishëm ti japim së bashku fund tranzicionit shqiptar dhe të hapim një faqe të re të historisë moderne dhe europiane të Shqipërisë”, tha Basha.

“Të mundësojmë që më të mirët, më të ndershmit të drejtojnë fatet e vendit sepse familja jonë e madhe Shqipëria ka nevojë sot më shumë se kurrë për punë, nder dhe ndryshim rrënjësorë. Sepse ne sot më shumë se kurrë duhet të mbrojmë e të vendosim në vendin e duhur krenarinë tonë të kahershme kombëtare si shqiptarë”, u shpreh ai

Kreu i PD tha se, “ne po luftojmë kundër një grushti njerëzish që janë gati të bëjnë gjithçka vetëm për të mbajtur karriget e tyre por në të vërtetë ata nuk na qeverisin por ju shërbejnë vetes dhe ortakëve të tyre që po rrëmbejnë përmes akteve grabitqare gjithçka që ky vend ka, pasuritë tuaj, pasuritë e kombit”.

“Ky vend meriton më shumë, shqiptarët meritojnë më shumë dhe prandaj ne jemi sot këtu para jush që tua bëjmë të qartë të gjithëve, ne shqiptarët meritojmë më shumë dhe mundemi të bëjmë më shumë dhe do të bëjmë më shumë”, shtoi Basha.

“Çdo gjë e mirë që i ka ndodhur këtij vendi, gjithçka që ka ndryshuar për mirë në këtë vend mban vulën e rinisë, ka fytyrën e saj. Ndaj edhe kësaj herë vendi ka nevojë për rininë, ndryshimi kërkon mbështetjen e saj që është derdhur në këtë shesh e anembanë Shqipërisë”, deklaroi Basha.

“Unë vi para jush për të shpallur një tjetër synim, një detyrë, një mision që i përgjigjet dëshirës së çdo shqiptari ndaj të cilit dhe ndaj të cilës angazhohem: Kur të më zgjidhni kryeministër detyra e parë madhore, misioni im hyjnor, misioni ynë hyjnor është futja e Shqipërisë në Bashkimin Europian”, theksoi Basha.

“Të qëndrojmë bashkë sa më afër, të bisedojmë ditë për ditë me njeri tjetrin, të bindim këdo që është në kërkim të shpresës se po punoj për një qëllim të lartë, se po punojmë për një qëllim fisnik, po punojmë për të garantuar një ndryshim të thellë, të vërtet e të pakthyeshëm për bijtë e shqipes. E që ky ndryshim të bëhet realitet secili nga ne duhet ti bashkohet kësaj përpjekjet”, tha Basha.

“Unë besoj tek ju, unë jam krenar për ju bashkëqytetarët e mi dhe ndjehem i nderuar për misionin e lartë që më keni besuar. E di që së bashku dhe vetëm së bashku ne do të kapërcejmë çdo pengesë dhe do të përmbushim çdo ëndërr”, u shpreh ai më tej.

“Dashuria për fëmijët, për familjet, për njeri-tjetrin, dashuria për Shqipërinë është forca që na mbush zemrat dhe na ushqen mendjen. Dhe dua që këtë dashuri të mos e përflasë në erë, por t’jua dëshmoj duke u shërbyer drejt rrugës së ndryshimit”, shtoi Basha.

“Ndryshimi që ka filluar që ka zbritur sonte në këtë shesh siç ka zbritur në mendjet dhe zemrat e shqiptarëve kudo ku janë. Bashkë për ndryshimin, bashkë për Shqipërinë i sigurt që së bashku do të fitojmë, Shqipëria do të fitojë”, tha Basha.

 

Fraksion.com