“Misioni im”; Basha surprizë në prag të zgjedhjeve: Boton librin e parë, letra për shqiptarët
Teksa duhen edhe pak ditë nga nisja zyrtarisht e fushatës elektorale, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka vendosur t’i drejtohet shqiptarëve me një mënyrë që nuk pritej.
Ai ka botuar një libër në prag zgjedhjesh. Libri i kryetarit të opozitës titullohet “Misioni Im”. Si duket, nëpërmjet këtij libri, Basha u bën një ftesë publike shqiptarëve që të votojnë kandidaturën e tij për kryeministër.
Kujtojmë se botimi i një libri nga një kandidat për Kryeministër në vend nuk është e para herë në Shqipëri. Në vitin 2011 Edi Rama, atëherë kryetar i opozitës botoi librin ‘Kurban’.
Në ‘Misioni im’, Basha rrëfen në vetën e parë të gjitha ngjarjet gjatë karrierës së tij politike. Libri është prezantuar sot, datë e cila shënon 29-vjetorin e fitores së parë të Partisë Demokratike. Në një reagim të Partisë Demokratike thuhet se në libër prezantohet programi i Bashës
“Ne jemi të kënaqur me interesin e madh për librin. Së shpejti gjithçka do të zbulohet. Një gjë që mund të themi është se libri prezanton atë se si mund ta ndryshojmë Shqipërinë, për një të ardhme më të mirë, për afrimin në BE, për ringjalljen e ekonomisë, për shpëtimin e sistemit tonë shëndetësor”, thuhet në reagim.
Fraksion.com