Hoti: Nesër i dorëzoj detyrën Kurtit
Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka mbajtur një konferencë për media ku ka thënë se nesër do të dorëzojë zyrtarisht detyrën e tij.
“Nesër do të dorëzojë detyrën sipas protokollit shtetëror. Kryeministrit të ri i kam përgatitur dosjen e plotë me informacionet për punët që janë në proces. Kryeministrit të ri do t’ia dorëzojë informatat e plota për procesin e integrimit europian, për nivelin e zbatimit të MSA’së, për programet IPA që i kemi zhvilluar, për diskutimet që i kemi bërë veç e veç me vendet e Bashkimit Europian në procesin e liberalizimit të vizave”, tha Hoti.
“Do t’i dorëzojë informatat e plota për procesin e dialogut, si është zhvilluar deri më tash, përgatitjet që janë bërë, ekspertët që kanë qenë të angazhuar, dakordimet e miqve tanë ndërkombëtar”, tha Hoti.
Me 67 pro dhe 30 kundër dhe me asnjë abstenim Kuvendi i Kosovës miratoi qeverinë e re të Kosovës. Albin Kurti, është zyrtarisht kryeministri i ri i Kosovës. Ai ka shpalosur programin qeverisës duke bërë me dije se prioritet do të jetë pandemia e COVID, ku premtoi se 60% e popullsisë do të vaksinohet brenda 1 viti, ndërkohë që ka bërë publike edhe emrat e ministrave. Në fjalën e tij në Kuvend, Kurti tha se nga 15 ministra, 8 janë nga Lëvizja Vetëvendosja dhe 1/3 janë gra.
Ndërkohë, më herët është konstituuar Kuvendi i ri i Kosovës ku janë betuar 114 deputetë të pranishëm, 69 prej të cilëve kanë votuar për zgjedhjen e Glauk Konjufcës si kreun e ri të Kuvendit.
Në zgjedhjet e fundit, Lëvizja Vetëvendosje ka 58 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) 19, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 15, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) 8, Lista Serbe ka fituar 10 ulëset e garantuara, dy mandate i ka fituar Partia Demokratike Turke e Kosovës, nga një mandat kanë Koalicioni Vakat, Unioni Socialdemokrat, Partia Gorane, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Partia e Re Demokratike, Iniciativa Rome, Partia e Ashkalinjëve për Integrim dhe Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës.
Konjufca, i cili mban edhe pozicionin e Ushtruesit të detyrës së Presidentit në Kosovë, me anë të një letre drejtuar kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit ka kërkuar që ky subjekt fitues i zgjedhjeve të 14 shkurtit të propozoj emrin e kryeministrit. Në letër Presidenti Konjufca, duke iu referuar dispozitave kushtetuese dhe njoftimit të KQZ-së për certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 14 shkurtit, ka theksuar se Lëvizja Vetëvendosje ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për ta krijuar Qeverinë e re.
Fraksion.com