AktualitetBota+Të fundit

Biden shton dëbimet e migrantëve ndërsa thellohet kriza në kufi

Dëshmitarët i thanë agjencisë së lajmeve Reuters se migrantët po dëbohen në thellësi të Meksikës, larg vendit ku janë kapur duke kaluar kufirin amerikan. Kjo është një përpjekje që anashkalon kundërshtimet e autoriteteve të shtetit meksikan Tamaulipas, i cili ndaloi pranimin e kthimit të familjeve migrante me fëmijë të vegjël.

Kjo praktikë lë të kuptohet se Presidenti Joe Biden po e ashpërson qasjen e tij ndaj krizës humanitare në rritje në kufirin mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës, pas dështimit të thirrjeve të administratës së tij ndaj migrantëve të Amerikës Qëndore që po përpiqen të hyjnë në Shtetet e Bashkuara.

Disa familje të kapura në kufirin e Teksasit në Luginën Rio Grande thanë për median se ishin dërguar me avion në El Paso të Teksasit pasi ishin mbajtur të ndaluar për disa ditë.

Nga aty, ata ishin shoqëruar nga zyrtarët amerikanë përtej urës ndërkombëtare “Cuidad Juarez” në Meksikë, rreth 1300 kilometra larg vendit ku ishin ndaluar fillimisht nga rojet amerikane të kufirit.

Vilma Peraza udhëtoi me fëmijët e saj nga Hondurasi në përpjekje për t’u bashkuar me burrin e saj që është në Shtetet e Bashkuara.

“Na hypën në autobus, pastaj në avion dhe pastaj në një autobus tjetër dhe nuk na treguan se do të vinim këtu. Ne nuk nënshkruam dokumente për deportim, apo ndonjë dokument tjetër.”

Dylan Corbert, drejtor i Institutit Kufiri i Shpresës (Hope Border Institute) tha se shumica e familjeve të dëbuara drejt “Cuidad Juarez”, pasi ishin futur në jug të Teksasit, kishin fëmijë nën moshën 7-vjeçare.

“Administrata Biden këtë javë po vazhdon të kthejë me forcë azilkërkuesit drejt qyteteve si ‘Cuidad Juarez’. Nuk ka spjegime për këtë, kjo nuk duhet të ndodhë. Komunitetet kufitare janë të gatshme të përballojnë sfidën.”

Një zyrtar i kufirit tha se migrantët janë dërguar në qytetin El Paso të Teksasit si dhe në vende të tjera amerikane për përpunim të dokumentacioneve, si rezultat i mungesës së kapaciteteve në Luginën Rio Grande.

Ndërsa zyrtarët e administratës Biden kanë thënë se familjet migrante do të “dëbohen” në Meksinë ose vendet nga vijnë në bazë të një urdhëri shëndetësor të ish-administratës Trump, më shumë se 19 mijë migrantë të kapur në kufi në muajin shkurt nuk u dëbuan dhe shumë prej tyre u lanë të lirë në Shtetet e Bashkuara.

Burimet thonë për agjencinë e lajmeve Reuters se në bazë të programit të ri të menaxhuar nga organizatat jofitimprurëse, disa familje migrantësh që vijnë në Shtetet e Bashkuara do të strehohen në hotele.

Zyrtarët po përpiqen që me këtë masë të shmangin vendosjen e migrantëve në qendra paraburgimi të menaxhuara nga kompani private që janë kritikuar nga demokratët dhe ekspertët e shëndetësisë./voa

 

Fraksion.com