AktualitetTë fundit

Arrestohen në spital dy vëllezërit Doçaj: U kundërpërgjigjën me plumba

Policia e Shkodrës ka arrestuar dy vëllezërit e plagosur mbrëmjen e kaluar në fshatin Bardhaj.

Po ashtu është shpallur në kërkim nga policia edhe autori i dyshuar i kësaj plagosjeje të dyfishtë.

Efektivët kanë vënë në pranga dy vëllezërit Marjan Doçi 23 vjeç dhe Hoten Doçi 30 vjeç.

Arrestimi i tyre është bërë në kushtet spitalore, pasi të dy ndodhen në Spitalin e Traumës në Tiranës, jashtë rrezikut për jetën, por nën mbikëqyrje nga forcat e policisë.

Policia pas ngjarjes ka identifikuar autorin e dyshuar shtetasin Besmir Perkola, i cili dyshohet se qëlloi me armë duke lënë të plagosur dy vëllezërit Doçi.

Mbi motivin shtetasit e plagosur në deklarimin për policinë kanë thënë se nuk kemi asnjë konflikt dhe nuk e kemi idenë përse na ka qëlluar personi tjetër dhe madje nuk e njohim se kush ka qenë.

Policia e Shkodrës ka dyshime të forta se pasi shtetasi Besfort Perkola ka qëlluar ndaj tyre me automatik kallashnikov dy vëllezërit i janë përgjigjur të shtënave duke qëlluar edhe ata me pistoletë në një përplasje me armë zjarri. Në vendin e ngjarjes policia ka gjetur gëzhoja plumbash nga armë të ndryshme të kallashnikovit që dyshohet se ka patur Perkola dhe gëzhoja pistolete afër mjetit tip Audi pa targa ku ndodheshin dy vëllezërit Doçi.

Njoftimi zyrtar i policisë:

Vihen në prang dy vëllezërit Doçaj që mbetën të plagosur mbrëmjen e djeshme gjatë një konflikti me armë zjarri.

Shpallet në kërkim autori i plagosjes së dyfishtë me armë zjarri.

Në vijim të veprimeve për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme në fshatin Bardhaj, në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve M. D., 26 vjeç dhe H. D., 31 vjeç, banues në fshatin Bardhaj, Shkodër, si dhe u shpall në kërkim shtetasi B. P., 29 vjeç, banues në fshatin Bardhaj, Shkodër.

Nga veprimet hetimore rezultoi se:

Më datën 20.03.2021 rreth orës 19.30, në fshatin Bardhaj Shkodër, gjatë një konflikti për motive të dobëta shtetasit M. D. dhe H. D. kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit B. P. i cili i është kundërpërgjigjur duke qëlluar me armë zjarri automatik, ku për pasojë mbetën të plagosur jashtë rrezikut për jetën dy vëllezërit ndërsa shtetasi B.P., u largua nga vendi i ngjarjes dhe u shpall në kërkim.

Vijon puna intensive për kapjen e shtetasit B.P.

Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar prova materiale që shërbejnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes si dhe mjeti tip Audi, i shtetasit M.D.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër në ngarkim të shtetasve M. D. dhe H. D. për veprat penale “Vrasje me paramendim, e kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë”, si dhe “Mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”, ndërsa për shtetasin B. P. për veprat penale të “Vrasje në rrethana cilësuese, e mbetur në tentativë”, dhe “Mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”.

 

Fraksion.com