Tabaku me studentë të Drejtësisë: PD parashikon lidhjen e universitetit me tregun e punës
Kandidatja për deputete e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, zhvilloi një takim me studentë të Fakultit të Drejtesisë me të cilët diskutoi për kurrikulat e papërshtatshme, bibliotekën dixhitale që nuk funksionon, shkëputjen totale të universiteteve nga tregu i punës apo tarifat e larta. Sipas saj, këto janë shqetësimet reale të studentëve, që nuk kanë gjetur zgjidhje.
Tabaku tha se problemi qëndron te Ligji i Arsimit të Lartë, të cilin Partia Demokratike do ta zhbëjë sapo të vijë në pushtet, pasi ai është penalizues për studentët. Përsa i përket punësimit ajo sqaroi se në programin e PD parashikohet lidhja e universitetit me tregun e punës, me biznesin dhe ministrinë përkatëse,
“Do të ngremë një institucion ku të diskutojnë se cilat janë nevojat e tregut të punës dhe si mund të përshtatet kurrikula me nevojat e tregut të punës”, u shpreh Tabaku. Ajo i njohu studentët edhe me planin që parashikon që për familjet me të ardhura nën 64 mijë lekë, do të subvensionohen të gjitha tarifat e arsimit të lartë.
“Ju jeni të gjithë studentë shumë të mirë, disa prej jush edhe të ekselencës dhe e kuptoj që shqetësoheni për brendinë e asaj që mësoni dhe fakti që kurrikula nuk është e lidhur me tregun e punës, është faktor në të gjitha universitetet. Juridiku është thjesht një shembull, po ne kemi shumë juristë që dalin në treg, kemi njëkohësisht jashtëzakonisht shumë, legjislacion që ndryshon dita ditës, që ka nevojë të përshtatet, po njëkohësisht të rregullohet dhe me trendet e fundit të kurrikulave dhe të mësimdhënies”, tha Tabaku.
“Të gjithë kanë mundësi që të kenë një praktikë pune të paguar dhe ne kemi në plan që 10 mijë praktika pune të paguara, të jenë për studentët, të cilët përfundojnë. Lidhja me tregun e punës dhe fakti që studentët ,thonë janë më shumë akademike sesa duhet dhe jo aq praktike është një nga problemet kryesore. Asaj që ne kemi menduar që do të quhet Triadë, por që do të lidhë universitetin me tregun e punës, me biznesin dhe me ministrinë”, tha Tabaku.
Fraksion.com