SHBA përmbyllin bisedime “të vështira” me kinezët
Zyrtarë të lartë amerikanë e kinezë përmbyllën të premten një raund bisedimesh në Alaskë që Uashingtoni i cilësoi si “të vështira dhe të drejtpërdrejta”, të cilat nxorën në pah tensionet mes dy fuqive më të mëdha ekonomike të botës në fillimet e administratës Biden.
Bisedimet u paraprinë nga vizitat e zyrtarëve të lartë amerikanë tek dy vende aleate, Japonia dhe Koreja e Jugut, të zhvilluara për të demonstruar një qëndrim më të ashpër ndaj Pekinit, gjë që u pasua nga një retorikë e fortë nga autoritetet kineze që paralajmëruan Shtetet e Bashkuara të braktisin çdo iluzion për kompromis.
“Prisnim të zhvillonim bisedime të vështira dhe të drejtpërdrejta mbi një gamë çështjesh dhe ashtu ndodhi,” tha këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, Jake Sullivan në komentet për gazetarët, pak sekonda pasi delegacioni kinez doli nga hoteli për t’u kthyer në atdhe.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili po qëndronte përkrah zotit Sullivan, tha se nuk kishte mbetur i çuditur që delegacioni kinez ishte “hedhur në mbrojtje” pasi amerikanët ngritën shqetësime për shkeljet e të drejtave të njeriut në Xinjiang, Tibet, dhe Hong Kong, si dhe për sulmet kibernetike dhe presionin ndaj Tajvanit.
Por zoti Blinken shtoi se të dyja palët kanë pika të përbashkëta interesi në Iran, Korenë e Veriut, Afganistan dhe për ndryshimet klimatike.
“Lidhur me ekonominë, tregtinë, teknologjinë, u thamë homologëve tanë se po i rishikojmë këto çështje në konsultim me Kongresin, me aleatët dhe partnerët tanë dhe do të vazhdojmë të veprojmë në një mënyrë që mbron dhe avancon interesat e punëtorëve dhe bizneseve tona,” tha sekretari i shtetit.
Anëtarët e delegacionit kinez u larguan nga hoteli pa bërë komente për shtypin.
Pas komenteve në hapje të takimit të enjten nga zoti Blinken lidhur me sfidimin e rendit ndërkombëtar nga Kina, kryediplomati kinez Yang Jiechi u hodh në një fjalim plot kritika ndaj demokracisë amerikane si dhe politikave të jashtme e tregtare të Shteteve të Bashkuara.
Shtetet e Bashkuara e akuzuan Kinën për “skena teatrale” për të impresionuar publikun kinez dhe secila palë akuzoi tjetrën se kishte shkelur protokollin diplomatik.
Qortimet dhe kritikat u bënë para kamerave, por një zyrtar i lartë amerikan u tha gazetarëve se sapo kameramanët ishin larguar nga salla, palët menjëherë kishin filluar punën dhe kishin zhvilluar bisedime pa dorashka.
Zhvendosje në Fokus
Megjithëse administrata e Presidentit Biden ende nuk e ka formuluar plotësisht politikën e saj ndaj Kinës, përfshirë reagimin ndaj tarifave mbi mallrat kineze, të vëna nga pararendësi i tij, zyrtarët amerikanë deri tani kanë ngritur problemin e të drejtave të njeriut dhe vlerave demokratike dhe raportimet për abuzime nga Kina.
“Jam shumë krenar për sekretarin e shtetit,” tha Presidenti Biden në përgjigje të pyetjes së gazetarëve se çfarë mendonte për shkëmbimet e së enjtes.
Gjatë javëve të fundit, republikanë me peshë kanë përshëndetur përpjekjet e demokratit Biden për të rigjallëruar marrëdhëniet me aleatët e Amerikës për t’iu kundërvënë Kinës, duke u larguar nga motoja e ish-Presidentit Trump, “Amerika, e Para”. Presidenti ka folur për nevojën që Amerika të rikrijojë aftësitë e saj konkurruese. Shumë republikanë, të cilët kanë në dorë suksesin e këtyre planeve, e mbështetën qëndrimin e administratës pas shkëmbimeve të tensionuara në bisedimet e Alaskës.
“Kam plot pika mospajtimi me administratën Biden, por çdo amerikan duhet të bashkohet kundër tiranëve të Pekinit,” tha Senatori republikan, Ben Sasse përmes një deklarate.
Administrata Biden ende po vazhdon analiza e riformulime të politikave ndaj Kinës, ndërsa Yang dhe Wang janë veteranë të diplomacisë kineze, të cilët janë marrë prej dekadash me marrëdhëniet Uashington-Pekin. Në mediat sociale të autoriteteve kineze u përcollën komente me lëvdata për punën e diplomatëve kinezë, duke akuzuar delegacionin amerikan për mungesë sinqeriteti.
“Mendoj se administrata kineze po teston se çfarë rezultatesh mund të presë nga këto dialogje,” thotë Zack Cooper, studiues për politikat kineze në Institutin “American Enterprise”.
Dean Cheng i Fondacionit konservator “Heritage” tha se ndikimi global i Kinës është rritur deri në atë pikë sa që Pekini e sheh të mundur të ironizojë dhe kritikojë haptazi Shtetet e Bashkuara.
“Siç e sheh Kina këtë realitet: ‘Ju keni nevojë për ne e ne kemi nevojë për ju’,” thotë zoti Cheng.
Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Jalina Porter tha të premten se Shtetet e Bashkuara i bënë thirrje Kinës të lirojë shtetasit kanadezë Michael Spavor dhe Michael Kovrig, “të ndaluar në mënyrë arbitrare dhe të papranueshme”.
Ajo shprehu shqetësimin e thellë të Shteteve të Bashkuara lidhur me vendimin e Pekinit për të zhvilluar një seancë të mbyllur gjyqësore për zotin Spavor dhe planet për të filluar gjyqin kundër zotit Kovrig të hënën. Të dy akuzohen nga Kina për spiunazh.
Kina arrestoi zotin Spavor dhe zotin Kovrig në dhjetor 2018, pak pasi policia kanadeze ndaloi Meng Wanzhou, shefe e financave për kompaninë teknologjike kineze Huawei Technologies, bazuar në një urdhër-arresti të nxjerrë nga Shtetet e Bashkuara.
Fraksion.com