“Komunisti më i zi është komunisti antikomunist”; Bozo: Reforma të mëdha në 8 vite të PS, kjo qeveri ka ekspertë të mirë
Kandidatja e Partisë Socialiste për deputete në Tiranë, inxhinierja e njohur Luljeta Bozo, u shpreh sot se PS gjatë këtyre 8 viteve ka bërë reforma të mëdha.
Gjatë një interviste televizive, Bozo foli për kandidimin e saj në listën e PS për Tiranën duke u ndalur tek disa momente të këtyre ditëve pas shpalljes së kandidimit.
“U aktivizova shumë në javën e parë pas propozimit që më bëri Kryeministri dhe më ftuan në disa televizone ku unë shpreha arsyen pse e pranova, pasi besova kaq shumë te kjo forcë politike. Besova se njeriu ka sy e veshë dhe shikon se ku e merr një forcë politike pushtetin në dorë dhe se ku e çon ajo pas 4 vjetësh apo 8 vjetësh”, u shpreh Bozo.
“Dhe duke parë arritjet e këtyre 8 viteve, me ato reforma shumë të medha, reforma administrative, ajo në arsim, në energjetikë, në pensione, reforma më e madhe në drejtësi, nuk ke se si të mos besosh në këtë forcë dhe të mos punosh bashkë me të tjerët që ta çosh punën para. Fushata ime e deritanishme ka qenë kryesisht në daljet publike dhe biseda me njerëz, por pa bërë takime masive që të mos shkel rregullat antikovid”,- tha Bozo.
Ajo tha se politika duhet të ketë në fokus hallet e njerëzve.
“Është ajo politikë që vendos dhe përcakton rregulla që zgjidhin hallet e njerëzve, që mund të jenë në të gjitha fushat, biznes apo kërkim shkencor qoftë. Prandaj njerëzit votojnë, që të zgjidhin hallet e një bashkësie. Ndaj edhe politika e mirë priret nga hallet e një bashkësie, jo nga problemet apo interesat personale. Një sfidë e përbashkët mund të jetë arsimimi”,- tha Bozo.
“Për shumë kohë pas viteve ’90, arsimimi mbeti mbrapa si sistem, por së fundmi kemi bërë shumë. Politika e mirë, është ajo që mendon për politika të zhvillimit afatgjatë, planifikime afatgjata që përcaktojnë se cfarë mundësish ti ke si vend, çfarë mundësish financiare ke dhe çfarë mund të fillosh ti vetë me këto forca të tua, e më pas me mbështetjen e partnerëve që neve nuk na ka munguar qoftë nga BE, qoftë nga SHBA”,- shtoi ajo.
“Politikë e mirë, është kur ti nuk premton gjëra që nuk i ke kalkuluar mirë dhe duhet t’i shtrish këmbët sa ke jorganin, se ndryshe plevitosesh. Pra ato që thuhen, duhen kalkuluar mirë dhe kjo qeveri mendoj unë, ka ekspertë të mirë që i bëjnë këto kalkulime dhe ndaj punët kanë ecur përpara. Sa më shumë të aktivizohen specialistët, aq më shumë përparojnë gjërat”,- tha Bozo.
“Ato daljet daljet publike të kryeministrit janë shumë bindëse dhe njerëzit duhet ta kuptojnë që ne ishim këtu, arritëm këtu pas kaq vitesh dhe duhet të shkojmë diku tjetër”, theksoi Bozo.
“Politika e mirë mendon gjithmonë për shumë shtresa shoqërore. Një nga sfidat për shembull që nuk duhet ta harrojmë, është se gruaja, gjysma më e mirë e shoqërisë duhet patjetër të gjejë vendin që i takon në të gjitha sferat. Sot për shembull ne i kemi arritur kuotat gjinore dhe i kemi tejkaluar, jemi nga qeveritë e botës me më shumë gra ministre dhe do të thotë që drejtuesit e kanë kuptuar se qeveria ka sukses me gratë. Mos të mërziten burrat, por gratë janë më korrekte, e shfrytëzojnë kohën më mirë, janë më racionale në vendimet që ato marrin. Fati i gruas shqiptare duhet të na shqetësojë gjithmonë”,- tha Bozo.
E pyetur për diktaturën, ajo tha se diktaturën komuniste e dënon me forcë dhe Enver Hoxha padyshim ishte një diktator.