AktualitetPolitikëTë fundit

“Kemi caktuar edhe datën për uljen e avionit”; Rama: Të sjellë nga Londra ata që më kanë sharë e përqeshur më tepër

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se e ardhmja e Kukësit do të jetë turizmi dhe se ndërtimi i aeroportit do të ketë një ndikim të madh në zhvillimin e kësaj zone.

Duke folur në prezantimin e skuadrës së PS për 25 prillin në qarkun e Kukësit, Rama tha se tashmë është caktuar edhe data kur do të ulet avioni i parë në aeroportin e Kukësit.

“E ardhmja e Kukësit është turizmi. Kemi caktuar edhe datën për uljen e avionit të parë në Kukës dhe për të sjellë nga Londra ata që më kanë sharë e përqeshur më tepër. Shumëkush na thotë: ç’na duhen portet dhe aeroportet, ne duam bukë. Por për bukë shqiptarët nuk kanë vdekur që nga koha e Skënderbeut”, tha Rama.

Madje, shtoi Rama, nëse i referohemi bukës si metaforë që ka të bëjë me mirëqenien dhe sigurinë, aeroportet janë fabrika buke në sensin që sjellin konsumatorë pa fund dhe krijojnë kushtet për të patur mundësi ofertash të të gjitha natyrave për ta.

“Është fakt i njohur që në një aeroport 1 euro e shpenzuar janë 23 euro të kthyera në një periudhë afatmesme. Aeroportet sjellin investime, pasi mundësia për të ardhur drejtpërdrejtë krijon kushte që të shijojnë bukuritë mahnitëse të Kukësit, që do të shijojë në Shishtavec apo në kurorën e maleve në verën e nxehtë, ndërkohë kjo nxit ekonominë. Populli shqiptar ka një shprehje: nuk ka qorr më të madh se ai që i ka sytë në ballë e s’do të shikojë“, deklaroi Rama.

 

Fraksion.com