Harta e Kosovës me flamurin serb; Rama: Hartë leshi, shoku në Beograd po luan kukullash në facebook, Shqipëria e Kosova janë një
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas deklaratës së presidentit serb Aleksandar Vuçiç, i cili dy ditë më parë publikoi hartën e Kosovës të mbuluar nga flamuri serb.
Rama tha nga Kukësi se harta e publikuar nga Vuçiç ishte një “hartë leshi” dhe se “ai shoku në Beograd luan kukulla në Facebook”.
“Kjo ndodhi pas asaj hartës së leshit që nxorri ai shoku në Beograd që luan kukulla në Facebook. Ne jemi 1, për atë punojmë dhe ëndërrojmë të gjithë. Kemi ndryshime por kemi një rrugë. Jam i lumtur që kemi çarë bllokadën e pamundësisë për vaksinimin. Presim një sasi të konsiderueshme së shpejti dhe mjekët e Kosovës nuk do i lemë vetëm me shpresë që InshAllah në Kosovë do të venë vaksinat. Të 11 mijë bluzat e bardha të Kosovës do i bëjmë nëse Kosova nuk merr vaksinat”. tha Rama.
Dy ditë më parë presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, ka provokuar nga mediat sociale duke vendosur flamurin e Serbisë mbi hartën e Kosovës. Ky provokim solli reagime të ashpra dhe dënuese ndaj tij që nga Bashkimi Europian e deri tek zyrtarët e tjerë të Kosovës dhe Shqipërisë.
Para provokimit të Vuçiç, Bashkimi Evropian ka përsëritur thirrjet për liderët politikë, në Kosovë dhe Serbi, që të përmbahen nga veprimet dhe deklaratat, të cilat shkojnë në kundërshtim me normalizimin e raporteve mes tyre. Ndërsa kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti e ka cilësuar këtë akt si destruktiv.
Edhe Shqipëria ka reaguar në lidhje më të akt të Serbisë, ku kreu i PD-së, Lulzim Basha thotë se deklarata dhe veprime të tilla nuk shërbejnë bashkëpunimit e stabilitetit në rajon, por nxisin konflikt dhe përçarje. Edhe ministri shqiptar për diasporën, Pandeli Majko tha se sovranitetin e Kosovës e garanton NATO-ja dhe jo Instagrami.
Fraksion.com