Gjenerali humbi jetën nga COVID/ Ambasadorja Kim: Pata nderin ta njoh, thellësisht e trishtuar; Meta: Dëshmoi vlera të larta humanizmi; Xhaçka: Njerëzit si ti janë të rrallë
Ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim i ka shprehur ngushëllimet familjarëve të gjeneralit Ndriçim Sallaku, që humbi jetën si pasojë e COVID. Ajo ka vlerësuar maksimalisht Sallakun për kontributin e tij.
“Jam thellësisht e trishtuar dhe e tronditur nga vdekja e gjeneralit Ndriçim Sallaku. Unë dhe shumë amerikanë të tjerë patëm nderin ta njohim këtë patriot dhe të punojmë me të për të forcuar partneritetin. Ai iku shumë herëtt. Ne i shprehim ngushëllimet më të thella familjes së tij. Qofte i qetë në paqe”, shkruan Kim.
Meta: Dëshmoi vlera të larta humanizmi, do kujtohet me respekt e mirënjohje
“Shumë dhembje e trishtim për ndarjen e parakohshme nga jeta të Gjeneral Brigade, Ndriçim Sallaku, profesionistit të përkushtuar të Forcave tona të Armatosura, i cili humbi betejën me COVID-19.
Për mbi tre dekada angazhim për modernizimin e ushtrisë shqiptare, ai shërbeu si rrallëkush nën uniformë duke spikatur për aftësitë e Tij drejtuese dhe organizative, së fundmi edhe në detyrën e rëndësishme të Komandantit të Komandës Mbështetëse, ku dëshmoi gjithashtu vlera të larta humanizmi në përballimin e situatave të vështira të përmbytjeve, në ndihmë të qytetarëve në nevojë.
Duke shprehur ngushëllimet më të ndjera për këtë humbje të madhe, jam pranë familjarëve, miqve dhe kolegëve të Tij në këto momente tepër të rënda për ta.
Në memorien e Forcave tona të Armatosura, vepra e Gjeneral Brigade, Ndriçim Sallaku do të kujtohet gjithmonë me respekt e mirënjohje”, shkruan Meta
Xhaçka: Njerëzit si ti janë të rrallë dhe shembullin e një ushtaraku të drejtë
“Njerëzit si ti gjeneral Sallaku, janë të rrallë: energjikë, të kudogjendur, pozitivë përballë çdo situate. Na dhemb të gjithëve humbja jote sot, Majlindës e fëmijëve të shtrenjtë, ne që patëm fatin të ndajmë me ty ditë, muaj e vite pune të vështira apo të bukura. Do mungosh në Komandën Mbështetëse dhe të gjithë Forcën e Armatosur, me korrektësinë e përgjegjshmërinë tënde e mbi të gjitha me përkushtimin ndaj njerëzve e jetës. Mirënjohëse për shërbimin gjeneral! Faleminderit për modelin e ushtarakut të mirë e të drejtë”, shkruan Xhaçka.
Fraksion.com