Basha në plantacionin e ullinjve në Bilç: Askush nuk është braktisur më keq këta 8 vjet sesa fermeri
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në turin e takimeve në Berat, ka vizituar një plantacion ulliri në fshatin Bilç.
Fitim Zaimi, pronari i plantacionit, në bisedën që pati me Bashën u shpreh se aktivitetin e ka hapur në vitin 2010 me mbështetjen e AZHBR-së në atë kohë dhe që sot po përballet me shumë problematika. Sipas tij, e para është infrastruktura që është në gjendje shumë të keqe, e dyta mungesa e tregut dhe e treta mungesa e fuqisë punëtore për shkak të emigracionit.
Pasi u njoh me problematikat, Basha u shpreh se fermerët janë shtresë që është lënë më shumë në harresë këto 8 vite.
Ai u zotua se me ndryshimin që do vij në 25 prill, qeveria e ardhshme do të subvencionojë çdo vit fermerët me 100 milion euro në bazë të prodhimit. Duke subvencionuar pothuajse plotësisht disa prej imputeve kryesore, fidanët, farat, pesticidet dhe të tjera pjesë të kostos së punës, sipas Bashës arrijmë një çmim konkurrues në treg.
Ai gjithashtu tha se do të ketë vit për vit 50 milionë euro për infrastrukturën e zhvillimit rural dhe të ushqimit.
“Problemi është që jo vetëm që ka një kaos total por ka edhe klientelizëm. Ju e dini fare mirë që importi i ushqimeve është një nga problemet kryesore që kemi neve dhe po të shikosh bilancin tregtar të Shqipërisë një pjesë e madhe e ushqimeve që shqiptarët konsumojnë vijën nga jashtë ndërkohë që kjo ju ushtron një presion të jashtëzakonshëm të prodhimit të brendshëm edh epo të ishim në kushte normale por në fakt nuk jemi në kushte normale”, tha Basha.
“Atëherë çfarë duhet bërë, e para dhe kryesorja në programin tonë është mbështetja direkte për fermerin dhe ju e dini se ne nuk kemi dy muaj, as dy vjet, kemi katër apo pesë vjet që e kemi deklaruar këtë një prioritet absolut të politikave që qeverisjes së ardhshme dhe kjo do të thotë, kur flasim për politikat, kur diskutojmë për prioritete, bëhet fjalë për financat se fjalët i merr era premtimet boshe i dëgjuam për tetë vite me radhë. Kjo do të thotë që për fermerin shqiptar do të ndajmë vit pas viti 100 milionë euro mbështetje direkte në bazë të prodhimit dhe kjo vlen për fermerin pra për kultivuesin, për blegtorin vlen edhe për industrinë e agropërpunimit sepse në fund të fund të fundit garancia jeni ju industria e agropërpunimit që këto prodhime të arrijnë në treg”, tha Basha.
“Duke subvencionuar pothuajse plotësisht disa prej inputeve kryesore, fidanët, farat, pesticidet dhe të tjera pjesë të kostos së punës çfarë bëjmë? Ne arrijmë një çmim konkurrues në treg dhe prodhimi ynë që është jashtëzakonisht cilësor, ulliri i Beratit është, e thamë, një togfjalësh i pandarë në shtëpitë shqiptare nga Vermoshi në Konispol, ulli Berati”, tha Basha.
“Ne në këtë mënyrë jo vetëm mbrojmë prodhimin tonë por arrijmë ta nxjerrim atë në tregun tonë dhe arrijmë të stimulojmë po kështu edhe eksportin duke thjeshtuar procedurën e certifikimit të prodhimit shqiptar për të shkuar në tregun europian se nuk i mungon asgjë ullirit tonë krahasuar me ullirin e Greqisë apo vendeve të tjera të Mesdheut është një pasuri e jashtëzakonshme, e lashtë e kultivuar dhe më një traditë që nuk është shkëputur as në kohë të vështira”, tha ai.
“Po kemi potencial të jashtëzakonshëm për ta kthyer eksportin e ullirit dhe të vajit të ullirit në një nga degët me fitimin më të madh për fermerin shqiptar”, vijoi Basha
Basha u ndal edhe tek infrastruktura.
“Ne do të ndajmë vit për vit 50 milionë euro për infrastrukturën e zhvillimit rural dhe të ushqimit. Çfarë do të thotë ? Do të thotë vaditje, do të thotë kullim, do të thotë energji elektrike, do të thotë rrugët e aksesit, do të thotë rrjeti i tregjeve sepse bëhet prodhimi dhe nuk shkon në treg po kështu ndihmë për përpunimin që nga magazinimi, frigoriferët dhe tek përpunimi. Të dyja janë politika standarde të Bashkimit Europian. Nuk kam shpikur gjë unë. Nuk ka shpikur gjë as Partia Demokratike as Lulzim Basha, janë politika standarde të Bashkimit Europian që sigurisht BE financon me miliarda euro por Maqedonia financon120-130 milionë euro, një vend me buxhet të ngjashëm si Shqipëria, shumë më i vogël se ne, Kosova po kështu. Pra nuk është se mungojnë paratë ka munguar dëshira, ka munguar vullneti, ka munguar vëmendja ndaj jush. Të gjithë shqiptarët janë braktisur këto 8 vite po askush nuk është braktisur më keq se fermeri shqiptar”, tha Basha.
Fraksion.com