AktualitetTë fundit

“Vaksinimi mbrojtje absolute”; Mësuesit: Nuk ka mënyrë tjetër për të kaluar këtë pandemi

“Duhet të vaksinohen të gjithë”; “Për sa kohë dimë vendin e origjinës, s’ka pse të kemi frikë”, apelojnë mësuesit në kryeqytet, duke u shprehur se ndihen të siguritë me vaksinën antiCOVID19 të kompanisë “AstraZeneca”.

Të pyetur nga Agjencia Telegrafike Shqiptare, ata shprehen besimplotë për sigurinë e vaksinës “AstraZeneca”.

ATSH ka ndjekur nga afër procesin e vaksinimit antiCOVID në Tiranë në gjimnazin “Petro Nini Luarasi”. Fillimisht në orën 11:00 ishin lajmëruar mësuesit e shkollës “Dëshmorët e Lirisë” për të realizuar procesin e vaksinimit, për t’i lënë mandej vendin mësuesve të shkollave të tjera të kryeqytetit, të cilët vijuan sipas orarit të përcaktuar të paraqiten në qendrën e vaksinimit në fjalë. Në Tiranë janë gjashtë shkolla të kthyera në kuadër të procesit të vaksinimit anti COVID, në qendra vaksinimi.

Të pyetur nga Agjencia Telegrafike Shqiptare, mësuesit e shkollës “Dëshmorët e Lirisë”, u shprehën pozitiv dhe besimplotë se kjo është mënyra e duhur për të kaluar këtë pandemi.

“Mezi e prisja të vaksinohem, pasi në familjen time kam patur dy humbje jete nga COVID-i. Për mua ishte shumë e rëndësishme. Absolutisht nuk kam frikë nga “AstraZeneca”. Ka patur diskutime, por nuk i kam konsiderua fare, pasi mendoj se janë çështje që nuk lidhen me vaksinën, pra e krijuar, jo problemi i vaksinës, që është mbrojtje absolute, veç masave që marrim,  nuk ka mënyrë tjetër për të kaluar këtë pandemi në mënyrë definitive. Besoj se do hy në traditë”,- u shpreh një nga mësueset e intervistuara nga Agjencia Telegrafike Shqiptare

“Është shumë mirë dhe realisht mezi e prita. Nuk kisha fare problem që nuk ishte Pfizer, por AstraZeneca. Të dyja janë njësoj dhe në fund të ditës kanë të njëjtin qëllim”,- u shpreh një mësuese tjetër.

“Është gjëja e duhur. Jam mjaft  i kënaqur. Unë e kam kaluar dhe vetë COVID-in dhe mendoj se është gjëja më e arsyeshme për të bërë vaksinën. Jo, nuk e shoh shumë me skepticizëm këtë vaksinë, nëse është e aprovuar, duhet bërë”,- tha një tjetër mësues.

“Unë njoftuam përmes drejtorisë së shkollës. Na thanë se kush ka dëshirë mund ta bëjë vaksinën. Për aq kohë sa jam informuar për origjinë e vaksinës dhe vetë vaksinë, isha dakord ta bëja këtë vaksinë. Unë i sugjeroj të gjithëve ta bëjnë vaksinën. S’ka asgjë për t’u frikësuar, për sa kohë dimë origjinën, nuk kemi pse të kemi frikë”,- tha një mësues tjetër.

“Ndihem mjaft mirë, ndihem shumë mirë. Nuk ka asgjë për të pasur frikë, duhet ta bëjnë të gjithë. Drejtoresha na lajmëroi dhe erdhëm këtu sipas procedurave dhe bëmë vaksinën”,- tha një mësuese tjetër. “Besoj se jam më e mbrojtur tani. Për sa kohë e bëjnë të gjithë, kam besim”,- tha një tjetër mësuese.

“Për mua njësoj janë vaksinat, për sa kohë janë miratuar nga OBSH, duhen bërë. Na lajmëroi drejtoria e shkollës. Erdhëm këtu, një proces normal që duhet bërë nga të gjithë, që bëhet për tu mbrojtur”,- tha një mësuese tjetër për ATSH.

Në Shqipëri deri më sot janë vaksinuar mbi 30 000 persona të kategorisë së mjekëve, të moshuarve dhe të mjekëve./ATA

 

Fraksion.com