AktualitetPolitikëTë fundit

Sondazhi i IPSOS: PS e para me 48.7%, PD rritet në 40.6%, bie LSI

Top Channel dhe kompania e sondazheve IPSOS publikoi sondazhin e dytë për zgjedhjet e 25 prillit.

Në gjetjet e këtij sondazhi Partia Socialiste mbetet forca me e votuar, por opozita ka një përmirësim të lehtë në shifra.

Nga 49.5 përqind, PS tani merr 48.7 përqind, ndërsa partitë e opozitës PD e LSI nga 44.4 përqind tani marrin 45.2 përqind. Në sondazhin e dytë të anketuarit i janë përgjigjur edhe pyetjes se cili është lider më i fortë dhe në këtë pyetje, Rama ka një avantazh të dukshëm.

Nëpërmjet telefonit (90 përqind) dhe më pak online (10 përqind) janë intervistuar 1519 votues nga data 3 mars deri më 9 mars. Ndërsa marzhi i gabimit është vendosur në 2.39 përqind.

Drejtimi i duhur?

Sërish zgjedhësit janë pyetur nëse Shqipëria po shkon në drejtimin e duhur dhe njësoj si një sondazhin e parë 38 përqind përgjigjen pozitivisht dhe 47 përqind negativisht, ndërsa 8 përqind asnjanës. Ndërkohë ka një përkeqësim të shifrave në pyetjen se si po trajtohej çështja e pandemisë.

Lideri më i mirë?

Në sondazhin e dytë zgjedhësit janë pyetur se si i shikojnë dy liderët Rama dhe Basha. Kryeministri është në avantazh dhe shikohet si lider më i fortë nga 62 përqind e të anketuarve, më i aftë nga 55 përqind, më i besueshëm nga 44 përqind dhe 45 përqind mendojnë se ai zotëron mirë politikat ekonomike. Në pyetjen se cilin preferonin për të drejtuar vendin Rama është sërish në avantazh me 39 përqind ndërsa Basha i dyti por me një përmirësim të ndjeshëm. Nga 29 përqind që ishte në sondazhin e parë në 33 përqind në sondazhin e dytë.

Qeveria dhe opozita në çështjet e mëdha?

Vlerësimi i qeverisë për trajtimin e çështjeve të mëdha, mendimi pozitiv qëndron sërish në 56 përqind por ka një rritje me 1 përqind mendimi negativ. Ndërkohë ka një përmirësim për sa i përket mendimit të njerëzve për mënyrën se si po i trajton opozita çështjet e mëdha.

Kush i fiton zgjedhjet. Ja ku ka avantazh PD

Ndryshim të dukshëm ka në rezultatet e pyetjes, se kush do fitojë zgjedhjet, PS në sondazhin e dytë humbi dy pikë më pak duke zbritur nga 44 përqind në 42 përqind dhe PD fiton tre pikë më shumë duke u ngjitur nga 24 përqind në 27 përqind.

Ndryshim të dukshëm ka pyetja kryesore, se për kë do votohej në zgjedhje, nga 49,5 përqind Partia Socialiste ka zbritur në 48,7 përqind dhe PD që ishte 39,3 është rritur me 1.3 pikë në 40,6 përqind. Ndërsa LSI ka një rënie me 0,5 përqind nga 5,1 në 4,6 përqind.

Si ndahen mandatet në Tiranë, Durrës dhe Elbasan

Në sondazhin e dytë është bërë dhe një ndarje sipas qarqeve, kështu në Tiranë PS merr 48,1 përqind që përkthehet në 19 mandate dhe PD 42,6 përqind në 16 mandate, ndërsa LSI me 3,4 përqind vetëm 1 mandat. Në qarkun e Durrësit, PD merr 47,8 përqind që pëkthehet në 7 mandate dhe PS 44,8 përqind po 7 mandate, ndërsa LSI merr 5,5 përqind, por asnjë mandat. Dhe sondazhi i fundit, për Elbasanin ku PS merr 49 përqind ose 8 mandate dhe PD 41 përqind ose 6 mandate, ndërsa LSI asnjë mandat.