SHBA, sot numri i të vaksinuarve pritet të arrijë në 100 milionë
Ndërsa vendi po i afrohet objektivit të shpallur të Presidentit Joe Biden për të injektuar 100 milionë vaksina kundër koronavirusit disa javë para afatit të paracaktuar, Shtëpia e Bardhë tha se vendi është tashmë në gjendje të ndihmojë fqinjët si Kanadanë dhe Meksikën, duke u siguruar atyre miliona vaksina.
Administrata e zotit Biden bëri publike të enjten disa pjesë të planit për t’u dhënë një numër të caktuar vaksinash Kanadasë dhe Meksikës ndërsa presidenti njoftoi se SHBA është në prag të përmbushjes së qëllimit të tij 100 ditor “shumë ditë përpara afatit”.
“Jam krenar të njoftoj se nesër, ndërsa bëhen 58 ditë të administratës sonë, do ta kemi përmbushur qëllimin”, tha zoti Biden. Ai tha se në javët e ardhshme se do të bëjë publik një objektiv të ri lidhur me vaksinimin, ndërsa vendi ndodhet në rrugën e duhur për të pasur sasi të mjaftueshme nga të tre vaksinat e autorizuara për përdorim të cilat do të mbulojnë nevojat e popullatës në moshë të rritur, brenda 10 javësh.
Përpara komenteve të Presidentit Biden, Shtëpia e Bardhë tha se po finalizonte planet për të dërguar 4 milionë doza të vaksinës së AstraZeneca-s në Meksikë dhe Kanada, sasia e parë që vendi eksporton në vaksina.
Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha se detajet mbi këtë sasi “hua” po përpunohen ende, por tha se 2.5 milionë doza do të nisen drejt Meksikës dhe 1.5 milionë në Kanada.
“Prioriteti ynë kryesor mbetet vaksinimi i popullsisë amerikane”, tha zonja Psaki. Por ajo shtoi se “garantimi i sigurisë nga virusi për fqinjët tanë është një hap kritik i misionit, për t’i dhënë fund pandemisë”.
Vaksina e AstraZeneca-s nuk është autorizuar ende për përdorim në SHBA, por është autorizuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. SHBA ka grumbulluar ndërkohë dhjetëra miliona doza të kësaj vaksine, në pritje të dhënies së autorizimit për përdorim në raste urgjente. Kjo ka shkaktuar kritika ndërkombëtare se vaksina e cila shpëton jetë po mbahet e bllokuar, kur mund të përdorej gjetkë.
Shtëpia e Bardhë tha se vetëm 7 milionë nga dozat e AstraZeneca-s janë gati për t’u dërguar.
Administrata e zotit Biden është përballur me thirrje nga aleatët e saj në të gjithë globin që t’i japë dozat e AstraZeneca-s për përdorim të menjëhershëm. Zoti Biden ka pasur gjithashtu kërkesa të drejtpërdrejta nga Kryeministri kanadez Justin Trudeau dhe Presidenti meksikan Andrés Manuel López Obrador për të blerë vaksinat e prodhuara në Shtetet e Bashkuara.
Aktivistët që operojnë në fushën e shëndetit publik global thonë se vendet e pasura si SHBA duhet të bëjnë shumë më tepër për të ndihmuar në ndalimin e përhapjes së pandemisë. Organizata Botërore e Shëndetësisë lëshoi të enjten një raport se në Afrikë janë përdorur për imunizim deri më tani më pak se 7 milionë doza kundër COVID-19. Sasi e njëjtë me vaksinimet që bëhen brenda pak ditësh në SHBA.
Administrata e Presidentit Biden ka kontribuar financiarisht tek aleanca COVAX, mbështetur nga organizata joqeveritare si Gavi, Aleanca e Vaksinave, së bashku me Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe Koalicioni për Inovacione e Gatishmëri ndaj Epidemive, të cilat janë angazhuar t’i shpërndajnë vaksinat tek më shumë se 90 vende me të ardhura të ulta e të mesme. Por deri tani SHBA-ja nuk është zotuar të ndajë me vendet e tjera disa nga dozat e vaksinave që disponon.
Që nga dita e tij e parë në detyrë, zoti Biden vendosi objektiva të qartë e të arritshëm për suksesin e SHBA-së, si për vaksinimet ashtu edhe rihapjen e shkollave, si pjesë e një strategjie për të bërë më shumë nga sa është premtuar. Ndihmësit besojnë se tejkalimi i objektivave të tij krijon besim tek qeveria pas retorikës ndonjëherë jorealiste të administratës Trump lidhur me virusin.
Objektivi për injektimin e 100 milionë dozave u njoftua për herë të parë në 8 dhjetor, përpara se SHBA-ja të autorizonte vaksinën e parë kundër COVID-19-s, pa harruar se tashmë janë tre që kanë marrë autorizim nga autoritetet amerikane.
Me inaugurimin e zoti Biden më 20 Janar, SHBA-ja kishte injektuar deri në atë moment 20 milionë doza, me një normë prej rreth 1 milion injektimesh në ditë, çka solli ankesa në atë kohë se qëllimi i zotit Biden nuk ishte aq ambicioz sa duhet. Ai e rishikoi shumë shpejt objektivin duke përcaktuar 150 milionë doza në 100 ditët e tij të para.
Tashmë SHBA-ja injekton mesatarish rreth 2.2 milionë doza në ditë dhe ritmi ka të ngjarë të rritet në mënyrë dramatike më vonë këtë muaj për shkak të një rritje të pritshme të furnizimit me vaksina.
Sipas të dhënave Presidenti Biden e ka arritur objektivin prej 100 milionë dozash të enjten dhe shifrat kanë të ngjarë të konfirmohen nga Qendra për Kontrollin e Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) të premten.
Presidenti ka nxitur shpejtimin e procesit të shpërndarjes së vaksinave të prodhuara nga kompanitë Pfizer, Moderna dhe Johnson & Johnson, si dhe për të zgjeruar numrin e qendrave të vaksinimit e të personelit që merret me injektimin e tyre duke u përqëndruar në rritjen e aftësisë së vendit për të imunizuar popullatën ndërsa tejkalohen problemet me furnizimin.
Rreziku në vendosjen e objektivave optimiste është pamundësia për t’i përmbushur ato sikurse të ndodhi në maj të vitit 2020, kur Presidenti Donald Trump tha se vendi po “fitonte ndaj virusit”.
Në atë kohë vendi kishte rregjistruar prej fillimit të pandemisë rreth 80,000 vdekje nga koronavirusi. Këtë javë numri i të vdekurve në SHBA ka arritur në 538,000. Qasja e butë dhe mungesa e besueshmërisë ndaj zotit Trump kontribuan gjithashtu në respektimin në nivele të ulta të udhëzimeve mbi sigurinë publike mes amerikanëve./voa
Fraksion.com