AktualitetPolitikëTë fundit

“Pozicioni i Presidentit, vakant prej kohësh”; Topalli: Meta i përfshirë në fushatë

Kryetarja e Lëvizjes për Ndryshim, Jozefina Topalli deklaroi në tv Klan se “pozicioni i Presidentit është vakant prej kohësh, pasi Ilir Meta është i përfshirë tërësisht në fushatë”.

E ftuar në një studio televizive, Topalli tha se “kjo të krijon idenë se linja e konfliktit do ishte një linjë që mund të përvijohet gjatë kësaj fushate”.

“Një zhgënjim total me treshen, Rama, Meta, Basha. Pozicioni i Presidentit është vakant prej kohësh. Meta është i përfshirë tërësisht në fushatë. Tërësisht dhe në një mënyrë që nganjëherë të krijon idenë, se mos mendon që linja e konfliktit do ishte një linjë që mund të përvijohet gjatë kësaj fushate. Gjë që s’do ta doja”, tha ajo.

“Mjafton të shikosh sekuencat e fushatave të para dhe të fundit. E para është frymë, shpresë, fluturim drejt së ardhmes, të fundit janë mungesë shprese, nuk ka frymë. Fryma është përcaktuese, tregon situatën ku është shoqëria, mungesa e frymës dhe e shpresës implikon qeverinë që nuk i është përgjigjur në asnjë rast, në asnjë fushë, në asnjë drejtim qytetarëve të saj, por edhe një mungesë besimi dhe kredibiliteti nga ana tjetër”, tha ajo.

Topalli theksoi se “asnjëherë në 3 dekada nuk ka qënë kaq i lartë zhgënjimi i qytetarëve nga klasa politike”.

“Këtu rrejnë, rrejnë, rrejnë dhe qytetarët janë të mençur. S’ka as llogaridhënie, në përgjigje të premtimeve të pambajtura. Një shoqëri që ka 40% varfërinë ekstreme është në zgrip dhe nuk e kuptoj si këta politikanë ndihen të sigurtë edhe vetë në një shoqëri, ku gjysma e popullsisë nuk ka më shumë se 5 dollarë në ditë. Kemi përqindjen më të lartë të mosbesimit ndaj klasës politike aktuale, si s’ka ndodhur kurrë”, shtoi ajo.

 

Fraksion.com