AktualitetBota+Të fundit

CDC: Nxënësit në SHBA mund të ulen një metër larg njëri-tjetrit

Qendrat Amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC) të premten zbuti udhëzimet për distancimin fizik në shkolla, duke thënë se nxënësit mund të ulen të sigurt në një distancë prej vetëm një metër mes tyre, nga afërsisht dy metra sa ishte në kaluarën, për sa kohë që kanë vënë maskë.

Ndryshimi i rregullit ofron një lehtësim për shkollat, të cilave më parë u kërkohej të zvogëlonin numrin e tavolinave, të ndryshonin oraret e mësimit dhe të ndërmerrnin hapa të tjerë për të përmbushur udhëzimet e distancimit fizik. Kjo mund të nënkuptojë që më shumë shkolla mund të rihapen për mësim në klasë dhe me një pjesëmarrje më të lartë të nxënësve.

Në një konferencë virtuale me gazetarët, udhëheqësja e Grupit të Punësnë CDC për Komunitetet dhe Popullsinë Kritike, Greta Massetti tha se agjencia ekzaminoi studimet e fundit mbi këtë temë dhe vendosi që ndryshimet do të ishin të përshtatshme nëse strategjitë e parandalimit, duke përfshirë përdorimin e maskave në klasa, larjen e shpeshtë të duarve dhe ventilimin e duhur do të zbatoheshin siç duhet.

“Përfundimi ynë është se kur shkollat mund të vazhdojnë të përdorin pakon e masave parandaluese, [atëherë] distanca e pranueshme midis nxënësve në klasa mund të jetë së paku një metër”, tha ajo. “Dhe kjo e maksimizon mundësinë e tyre për të zhvilluar mësimin në objektet shkollore”.

Udhëzimet e reja gjithashtu thonë se xhamat ndarëse midis tavolinave nuk janë më të nevojshme.

Zonja Massetti tha se udhëzimi për distancim fizike prej 2 metrash ose më shumë mbetet i rëndësishëm midis mësuesve dhe të rriturve të tjerë dhe midis mësuesve dhe nxënësve. Ajo tha se kjo vlen ende në situata kur maska nuk mund të përdoret, si për shembull, kur nxënësit janë duke ngrënë ushqim ose kur ata ndodhen në hapësira të tjera të përbashkëta.

Rekomandimet e reja u lëshuan ndërsa Presidenti Joe Biden përballet me presion në rritje për të përmbushur premtimin e tij për të rikthyer mësimin në objektet shkollore për shumicën e nxënësve të shkollave fillore në fund të 100 ditëve të tij të para në detyrë./voa

 

Fraksion.com