AktualitetPolitikëTë funditTeknologji

300 vjet të kursyera nga shërbimet online; 4 milionë e 185 mijë aplikime, 1 milion e 307 mijë biznese dhe qytetarë të shërbyer drejtëpërdrejtë

Në bazë të raporteve të organizatave më prestigjioze në bote që nga OKB, OECD, Departamenti Amerikan i Shtetit së fundmi dhe BE, Shqipëria është lider në qeverisjen digjitale në rajonin tonë, ndërkohë që ishte bishti i fundit i kavallit deri në 7 vite më parë.

Kështu u shpreh sot Kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të arritjeve dhe objektivave në drejtim të përmirësimit të shërbimeve për qytetarët e biznesin.

“Parafytyrojeni vetëm për një moment. Ua kam thënë për spitalet këtë, ua kam thënë për gjendjen e trupës sonë në spitale, po ua them tani për shërbimet. Sikur kovidi të kishte zbritur në jetën tonë dhe të na kishte hyrë për të na bërë mish për top 7 vjet më parë. Si do merreshin lejet pa dalë dhe pa u dyndur në ato sportele në kohë karantine? Si do merreshin lejet për punë, për urgjencë, lejet për të dalë në ato fasha orare të caktuara, nëse nuk do të ishte revolucioni digjital? Si do merreshin? Si do të hynin në mësim online 95 % e fëmijëve të këtij vendi nëse ne do të mbyllnim shkollat dhe nuk do të kishim bërë këtë revolucion digjital?” – tha Rama.

Më thoni si dhe kush do ta bënte, vijoi ai, “kush mund ta marrë e ta çojë përpara këtë?. Ata që krenohen sot e gjithë ditën me Shqipërinë që lanë? Ata, të cilët sot e gjithë ditën nuk kanë nxjerrë asnjë mësim nga Pse-ja e madhe e shqelmave me të cilët populli i nxori jashtë zyrave? Ata të cilët sot rikthehen me një tabor krushqish njëri më i mirënjohur se tjetri për bëma që nuk kanë lidhje me epokën ku jetojmë, por me një epokë shumë të errët, me të njëjtin program, ku ndryshon vetëm kursi i këmbimit”.

Kryeministri theksoi se, “janë sot që flasim 4 milionë e 185 mijë aplikime që janë bërë dhe kanë marrë përgjigje për shërbime dhe janë bërë pa kontakt fizik me askënd, pa mundësi zgjatje dore për të marrë lekë dhe tërheqje dore me lekët e marra bakshish. Po s’janë vetëm këto”.

“Për qytetarët e thjeshtë janë 1 milion e 307 mijë biznese dhe qytetarë të shërbyer drejtpërdrejtë në sensin e veprimeve që kanë bërë, pra shërbime për bizneset dhe qytetarët më saktë. Sa kohë është kursyer, kohë që do të ishte humbur në radhë këto 7 vjet. E kemi bërë ne llogarinë mos u lodhni ta bëni. Është llogaria e bazuar në aritmetikën 7×7 bëjnë 49 dhe jo 42”, – tha Kryeministri.

Ai tha se janë “300 vjet, 300 vjet minuta në radha e radha që ne i kemi kursyer përmes revolucionit digjital për të gjithë ata që kanë shfrytëzuar mundësitë që ky revolucion ka filluar të sjellë në jetën tonë të përbashkët”.

“Pa llogaritur paratë, ato mbi dorë dhe ato nën dorë që janë kursyer nga gjithë këto ndërveprime të bëra transparente në kohë dhe sigurisht në fund fare, në dobinë e drejtëpërdrejtë për ata që i kanë marrë”, – tha Kryeministri.

 

Fraksion.com