AktualitetKosovaTë fundit

Rreth 373 arsimtarë, nxënës dhe personel nëpër shkolla, të infektuar me koronavirus

Në muajin mars, 373 arsimtarë, nxënës dhe personel nëpër shkolla në gjithë territorin e Kosovës, kanë rezultuar pozitivë në koronavirus, kanë bërë të ditur zyrtarë të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH).

Nga kjo shifër, 189 janë nxënës të infektuar, 151 arsimtarë dhe 33 anëtarë të personelit nëpër shkolla.

Në një përgjigjje për Radion Evropa e Lirë, zyrtarë të Ministrisë se Arsimit, kanë thënë se vetëm javën e kaluar janë kryer 170 testime, dhe nga to 130 rezultate kanë qenë pozitive.

Pikërisht për shkak të rritjes se numrit të personave të infektuar në sistemin e arsimit, Ministria e Arsimit ka propozuar që në institucionet arsimore të ndërpritet procesi mësimor për një javë, nga data 22 mars.

Këtë propozim Ministria e Arsimit e ka dërguar në Ministrinë e Shëndetësisë, në mënyrë që të vlerësohet gjendja epidemiologjike dhe të vendoset për format e zhvillimit të procesit mësimor në periudhën në vijim.

Vendimi nga Qeveria në detyrë e Kosovës pritet të merret gjatë ditës se enjte.

Që nga muaji mars i vitit 2020 në Kosovë janë regjistruar 79.089 raste të prekura nga sëmundja COVID-19, që shkakton ky virus.

Prej tyre, 1.731 pacientë kanë vdekur derisa 65.979 persona janë shëruar./rel

 

Fraksion.com