AktualitetPolitikëTë fundit

“Për merakun a të gjithëve”; Firmoset marrëveshja me Italinë, Rama: Unë them atë që bëj dhe bëj atë që them

U nënshkrua në Tiranë marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Italisë “Mbi njohjen e ndërsjellë të lejeve të drejtimit me qëllim konvertimi”.

Në emër të qeverisë shqiptare kjo marrëveshje u nënshkrua nga ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ndërsa për palën italiane, nga Ambasadori i Italisë në vendin tonë, Fabrizio Bucci.

Teksti i “Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Italisë mbi njohjen e ndërsjellë të lejeve të drejtimit me qëllim konvertimin”, i miratuar në parim me Vendimin nr.144, datë 10.3.2021 nga Këshillit i Ministrave, i hapi rrugë firmosjes të saj.

Nënshkrimi i sotëm do të pasohet nga përfundimi i proceduarve të brendshme ligjore të secilës palë, deri në botimin në Fletoren Zyrtare.

Firmosja e marrëveshjes u lajmërua nga ministrja Xhaçka, gjatë takimit që ajo pati javën e kaluar në Romë, me homologun italian, Luigi Di Maio, ku u konfirmua dakordësia për një prej marrëveshjeve me ndikim të madh në mijëra shqiptarë që jetojnë e punojnë në Itali.

“Janë pikërisht veprime konkrete si ky, edhe pse në dukje të vogla në skemën e madhe të diplomacisë, që kanë impaktin më konkret e të drejtpërdrejtë tek qytetarët”, tha ministrja Xhaçka pas takimit, në Romë.

Kryeministri Edi Rama shprehet se nënshkrimi i sotëm mbyll procedurën e gjatë për lejet e drejtimit në Itali.
“Ja edhe siglimi përfundimtar që mbyll krejt procedurën e gjatë për lejet e drejtimit në Itali, për merakun a të gjithëve ju që qarkulloni me makinë matanë detit, e herë tjetër mos e harroni, unë them atë që bëj dhe bëj atë që them. Përqafime”, shprehet kryeministri.
Fraksion.com