“Dalin me dhëndrin përpara”; Vaksinimi, Rama për Bashën nga Shkodra: Disa dasmorët me 2 gishta krijojnë vatër potenciale infektimi
Kryeministri Edi Rama ka folur nga Shkodra për procesin e vaksinimit, duke dhënë lajmin se shumë shpejt do të vijë një sasi e konsiderueshme vaksinash anti-Covid.
Nga Shkodra ku ishte për të mbikëqyrur procesin e vaksinimit, Kryeministri Rama kritikoi edhe një herë sjelljet e kryetarit të PD-së Lulzim Basha me takimet që po zhvillon në rrethe në kuadër të fushatës elektorale. Për Ramën po krijohen vatra shumë të rrezikshme potencialisht infektimi.
“Sigurisht që vaksinimi është njëra anë e medaljes së kësaj rruge dhe ana tjetër është respektimi i rregullave. Nuk janë sjellje të partive politike por në këtë rast janë partitë e KÇK që dalin bashkë me dhëndrin përpara dhe gjoja spontanisht mblidhen disa dasmorë me 2 gishta që potencialisht krijojnë një vatër infektimi”, tha Rama.
I shoqëruar nga ministrja Manastirliu, Rama tha se po vazhdohet procesi i vaksinimit, i cili po ecën mjaft mirë pavarësisht luhatjeve dhe ngurrimeve të krijuara nga lajmet e përhapura për AstraZeneca-n.
“Vazhdojmë procesin e vaksinimit, i cili po ecën mjaft mirë, pavarësisht luhatjeve dhe ngurrimeve të krijuara ditët e fundit për shkak të lajmeve për AstraZenecën dhe pezullimit në disa vende. Deri tani nuk ka asnjë problem, po rritet numri i mësuesve për tu vaksinuar. Është normale që të ketë hezitime. Për ne është e rëndësishme që të rrisim intensitetin. Besoj që do kemi më në fund lajme të mira dhe do të kemi në disponim një sasi të konsiderueshme vaksinash për tu shtrirë përtej këtyre kategorive, për të marrë mbarë gjithë kategorinë e moshave +60 dhe më pas nën 60”, tha Rama.
Fraksion.com