AktualitetEkonomiPolitikëTë fundit

“100% ujë të pijshëm në 24 orë”; Rama: Nga 12 orë ujë në ditë në 2013-n fund të këtij viti shkojmë 18 orë

Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se gjatë mandatit të tretë do sigurohet 100% ujë i pijshëm. Ai tha se e gjeti sistemin e ujësjellësit në kolaps, ku ndërmarrjet ishin kthyer në fole punësimi partiak, por sot, tha Rama panorama paraqitet ndryshe.

“Ndërmarrje e Ujësjellësit ishin fole punësimi partiak. E nisëm më konceptimin e një tjetër arkitekture të administrimit të sistemit me krijimin e një agjencie kombëtare që koordinon nga lart investim dhe sistemin e furnizimit me ujë dhe administrimin e mbetjeve me një plan strategjik dhe financim masiv të projekteve që nisën të hartohen njëri pas tjetrit. Kemi miratuar gjatë mandatit të 2-të 320 projekte dhe vetëm në dy vitet e fundit janë hapur mbi 200 kantiere për ujësjellës që do të garantojnë 24 orë ujë brenda këtij viti, në territor, që e kanë pasur një vuajtje dhe lëngatë prej shumë dekada. Në mandatin e tretë do të garantojmë me disa faza furnizimin me ujë 24 orë në Tiranë, ku është dhe problemi më i madh. Kështu do të ndodh edhe në Kamëz, ku s’ka pasur ujë më parë. Me rritjen e buxhetit për ujin me 40% ne do të garantojmë më në fund 100% ujë të pijshëm 24 orë në zonat urbane dhe uji i pijshëm nuk do të jetë më temë e fushatave elektorale”, tha Rama.

Premtimi për furnizimin me ujë 24 orë në të gjithë territorin do të realizohet  brenda mandatit të tretë. Kjo ishte deklarata e Kryeministrit Rama sot, teksa përmendi të gjitha arritjet në këto 8 vite sipas tij.

“Ne kishim 12 orë ujë në ditë si mesatare. Në dhjetor të këtij vitit do të kemi 18 orë ujë në ditë dhe në mbyllje të mandatit të tretë 24 orë ujë në ditë. Nga një anë kemi rritur si asnjëherë më parë furnizimin me ujë në rang territori. Njëkohësisht nga ana tjetër ne kemi hyrë në një proces transformimi në disiplinimin e marrëdhënieve mes konsumatorit dhe këtij malli, jetik por mall sidoqoftë. Kemi mbuluar me matëse 81% të popullatës dhe në fund të mandatit të tretë shkojmë 96%. Pra thuajse dyfishi i popullatës  që kishte një matës në vitin 2013. Sfida e ujit është një sfidë që po fitohet dhe këtu kam parasysh se është një sfidë krejt e ngjashme me të gjitha sfidat e tjera që po fitohen. Pra, që do të thotë se na duhet kohë akoma”, tha Rama.

 

Fraksion.com