AktualitetPolitikëTë fundit

“Vazhdojmë intensivisht vaksinimin”; Rama: Fatkeqësi e madhe që për interesa partiake dikush jep shembullin e gabuar duke grumbulluar njerëz

Kryeministri Edi Rama vizitoi sot nga afër në qytetin e Fierit vaksinimin anticovid të mësuesve, ku theksoi se “këputja e zinxhirit të infektimit në sa më shumë pika përmes vaksinimit dhe përmes kujdesit është prioriteti numër një”.

Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu pa nga afër procesin e vaksinimit në Fier.

Kreu i qeverisë u tha mësuesve që e kishin kryer vaksinën se “duhet bërë kujdes sa të krijohen antitrupat pasi nuk e bën efektin që ditën e parë. Mund të ndodhë ta bësh vaksinën dhe e merr virusin nëse që ditën e parë e lëshon kontrollin”.

“Ky është një proces që duhet të shkojë paralel me kujdesin, me mbrojtjen. Është fatkeqësi e madhe që për shkaqe politike dhe interesa partiake dikush jep shembullin e gabuar duke grumbulluar njerëz e duke ngritur gishtat mbi makina. Por nga ana tjetër është shumë e rëndësishme që njerëzit të kuptojnë që kjo është luftë për shëndetin, për jetën, që realisht për jetë a vdekje për shumë njerëz që janë më të ekspozuar dhe më të dobët nga pikëpamja fizike. Për këtë arsye të gjithë të bëjmë kujdes të distancohen nga situata absurde që tregojnë injorancë dhe papërgjegjshmëri të madhe nga ata që i krijojnë këto situata”,  nënvizoi Rama.

Kryeministri Rama tha se “këputja e zinxhirit të infektimit në sa më shumë pika përmes vaksinimit dhe përmes kujdesit është prioriteti numër një”.

“Fushata, zgjedhjet, vendet në parlament, karriget, postet janë të gjitha 5 me hiç përpara kësaj sfide dhe objektivi. Ne do të vazhdojmë intensivisht vaksinimin dhe të bëjmë kujdes dhe turpi i ngelet atyre që e kanë”,  tha Rama.

Ministrja Manastirliu theksoi se “kemi 3 shkolla të hapura sot ku po vaksinohen mësuesit . Vetëm në katër ditët e para kemi vaksinuar 2664 mësues, ose 7.2% e totalit të mësuesve që kemi në gjithë vendin. Procesi ka ecur shumë mirë, shkollat bashkë me strukturat e shëndetësisë janë në funksion të plotë të këtij procesi për ta përmbyllur sa më shpejt”.

Sipas saj, deri Tirana ka vaksinuar më shumë mësues janë mbi 600 mësues që janë vaksinuar.

“Procesi do të eci në vazhdim. Komiteti i Imunizimit dje vendosi që të ecet me vaksinimin e AstraZeneca natyrisht do të pritet edhe vendimi përfundimtar i Agjencisë Europiane të Barnave dhe OBSH, por shihet se do të shkohet në drejtimin e vaksinimit të popullatës. Po monitorojmë me kujdes gjithë procesin”, tha Manastirliu.

Fraksion.com